Pandemia/ Fico: Rritje e kurbës së infektimeve, do të vijojmë vaksinimin për ata që e kanë marrë dozën e parë

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, njëherësh edhe anëtare e Komitetit të Ekspertëve për masat antiCOVID-19, Albana Fico, duke folur sot për pandeminë në vend tha se “ka pak ditë kurba e infektimeve është në rritje nga java e dytë në të tretën ka një diferencë, një rritje të pozitivitetit të rasteve”.

Në një intervistë televizive Fico theksoi se “ka gjithashtu një rritje të lehtë të numrit të vdekjeve dhe një ndryshim i raportit të moshave që po rezultojnë pozitivë përkundrejt 55-64 vjeç, e cila mbetet në fuqi me dy grupet e tjera 25-34 vjeç dhe 15-24 vjeç.”

“Ky ndryshim në fakt është disi i pritshëm për dy elementë kryesorë, nuk do përmendja grumbullimet e pakujdesinë me rastin e festave si një element të parë në këtë moment. Kemi një ulje të temperaturave dhe rritje të virozve stinore. Të tre këta elementë brenda një jave është e pamundur për të thënë që jemi në fillimet e kësaj rritje. Jo se nuk presim, por një javë është e pamjaftueshme për të thënë që jemi në një ngjitje”, – nënvizoi Fico.

E pyetur se kur do të vijnë dozat e tjera të vaksinave Fico u shpreh se, “së pari, është java e tretë, fundi i janarit dhe përgjegjësia jonë ka qenë që të sigurojmë që ata që kanë marrë dozën e parë të marrin edhe të dytën. E kemi të sigurt, pasi ne nuk shkojmë me planin anglez, ne do të vijojmë me vaksinimin për ata që e kanë marrë dozën e parë”.

“Fundi i janarit nuk ka ardhur akoma, pasi ditë pas dite në këtë proces ndodhin ndryshime në mënyrë kaq të shpejtë saqë çfarë nuk është mundësuar një ditë përpara mundet në tjetrën. Dy gjëra janë të rëndësishme, ne kemi pjesën tonë për të bërë, sigurimi i marrëveshjeve dhe pagesave, të cilat janë kryer. Tentohet dhe nuk është vetëm shqiptare kjo histori, po tentohet anembanë të ndodhë rishpërndarje e dozave”, – shtoi Fico.

“Tentativa bëhen ditë për ditë dhe e dyta, në lojë hyjnë edhe vaksina të tjera si ‘AstraZeneca’, e cila nuk ka shfaqur këto problematika me prodhimin”, – përfundoi Fico. /k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.