Një ulli për Klodian Rashën/ Mesazhi i babait për Veliajn: Të falenderoj, ma përgjysmove dhimbjen

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Babai i Klodianit, Qazim Rasha, e priti me emocion sot mbjelljen e pemës së ullirit në kujtim të djalit të tij, i cili humbi jetën dhjetorin e kaluar.

Të afërm dhe miq të familjes, së bashku me kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zgjodhën Parkun “Europa” në sheshin “Skënderbej”, si një hapësirë e paqtë për këdo që do të dëshirojë të përkujtojë Klodianin.

Qazim Rasha nuk i fsheh lotët, por nuk harron të theksojë mirënjohjen e thellë për gjithçka është bërë për t’ia lehtësuar sadopak dhimbjen familjes. Ai u shpreh fort i emocionuar për vlerësimin dhe mbajtjen e premtimit nga Veliaj, për mbjelljen e pemës në kujtim të Klodit.

“Emocionet janë të mëdha! E kam shprehur edhe më parë, e shpreh dhe do ta shpreh gjithmonë për njerëz të tillë me vlera, që mendojnë për gjithçka, për të nesërmen, të ardhmen, dhe jo vetëm për të sotmen. E kam deklaruar që ditën e parë se Tirana është zemra jonë, është shpirti ynë. Në momente të tilla, ndoshta nuk gjejmë dot fjalë, por i falenderoj nga zemra të gjithë ata që na kanë ngushëlluar e nderuar, që nga dita e parë e deri sot, në ditën e 50-të. Nderimet më të mëdha i takojnë kryetarit të Bashkisë, i cili me veprimet e tij, bëri të mundur që pesha, ngarkesa dhe dhimbja ime të përgjysmohet. Ju falenderoj nga zemra për gjithçka! Jam i nderuar që sot mbillet kjo pemë. Le të shërbejë për brezat e ardhshëm, që secili nga ne, sipas mundësisë dhe aftësisë, ta vendosë një tullë në qytet. Tirana është zemra jonë, shpirti ynë, është krenaria jonë, dhe kjo duhet thënë me ballin lart. Ndaj secili nga ne le të mbjellë një lule, e jo ta dëmtojë atë. Faleminderit kryetar për gjithçka, je i nderuar, veprime të tilla i shërbejnë brezave. Emri i djalit tim do të jetë i paharruar, por falë veprimit tuaj, edhe djali juaj nesër do të krenohet me këtë që keni bërë, e do t’ju falenderojë për atë që menduat të bënit për djalin tim, por edhe për Tiranën”, tha Qazim Rasha.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.