Mbi 100 milionë euro në bujqësi 2 vitet e fundit/ Krifca: 45 milionë euro grante falas për modernizim të 24 fermave blegtorale

TIRANË, 26 janar /ATSH – I. Vata/ Drejtoresha e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca në konferencën e përjavshme të kryeministrit me fokus ekonominë, deklaroi sot se “kemi injektuar në këto dy vite 100 milionë euro në sektorin e bujqësisë”.

Në fjalën e saj, Krifca tha se “mbrëmë mbyllëm afatin e thirrjes së tretë të programit IPARD me fokus në investimet në fermë, për sektorin e qumështit, vresht, mishit si dhe përpunimin e fruta-perimeve. U mbyll me një shifër të lartë rekord, përtej pritshmërive tona, për rreth 360 subjekte, pavarësisht se kishim limituar masat në këtë thirrje dhe mbi 60 milionë euro kërkesë të re për mbështetje në investime të reja në bujqësi”.

“Kjo shprehje interesi në një dalje të një viti të vështirë pandemik është dëshmia më e qartë e dëshirës së shqiptarëve për të investuar dhe përparuar në bujqësi. Që nga 30 tetori kur AZHBR u akreditua për të menaxhuar fonde europiane në favor të bujqësisë dhe të fermerëve shqiptarë, kemi krijuar kantierin më të madh të zhvillimit të bujqësisë ku kemi mundësuar të angazhojmë fondin e vënë në dispozicion pa kthyer pas asnjë cent. Kemi angazhuar 262 kontrata, kemi injektuar mbi 100 milionë euro investime në fermë, përpunim dhe diversifikimin e fermës, nga këto më shumë se 45 milionë euro janë grant falas që kanë ndihmuar zhvillimin e 24 fermave moderne blegtorale, 30 ha serra të reja moderne, 18 projekte mbjelljesh të përkthyera në qindra hektarë të rinj, 8 investime për sisteme mjelje, 38 linja përpunimi, selektimi, paketimi, 28 ambiente grumbullimi, 19 investime të mëdha frigoriferike dhe kapacitete ruajtëse, 5 thertore të reja moderne, 72 investime në traktorë dhe makineri bujqësore që i janë shtuar flotës, që në fakt ka mekanizuar punën me anë të teknologjive bashkëkohore që rrisin prodhimin, përmirësojnë cilësinë dhe kursejnë kohë, investime këto në çdo qark dhe në formë kapilare në bashkitë e vendit”, tha ajo.

Po ashtu, Krifca shtoi se “jemi një vend me popullatë të re dhe me dëshirën për të frymëzuar angazhimin e të rinjve në sektorin e bujqësisë. Kemi ofruar avantazh në pikëzimin e përzgjedhjes së projekteve me 5 % më shumë grant për aplikantët që janë nën moshën 40 vjeç. Ndërkohë që kemi inkurajuar start up-et dhe punësimet. Gjatë 2020 nëpërmjet Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi, kemi financuar 10 milionë euro në mbështetje direkte për fermerët e vegjël për mbi 5500 fermerë, blegtorët që mbarështojnë delet, shtojnë sipërfaqet e mbjella me bimë medicinale”.

“Ajo çfarë ka bërë AZHBR dhe vijon të bëjë me përkushtim është puna që i dedikohet një sektori që synon të sjellë në treg prodhime cilësore për konsumatorët dhe shërbime të dobishme që vijnë për zonat rurale. Fermerët dhe sipërmarrësit kanë kuptuar se pa zhvillim teknologjik dhe modernizim të fermave nuk ka përparim, nuk ka avantazh konkurrues në tregjet europiane dhe globale dhe akses në tregjet e sofistikuara. Mund të them që nga mbi 100 milionë euro injektim në këtë sektor në dy vite e fundit, rreth 19 milionë euro janë injektimi direk në modernizimin e teknologjisë”, tha ajo.

Më tej, duke folur për qasjen sektoriale, Krifca tha se “në sektorin e qumështit kemi mbështetur me 66 investime në asete fizike në 26 bashki ku 15 prej tyre janë start up dhe po mbështesim ato biznese që e kanë të vështirë të gjejnë akses në financë dhe me 1986 vende pune të reja në të gjithë ciklin nga prodhimi i qumështit, te blegtori në ferma moderne”.

“Kemi mbështetur në sektorin e mishit 83 investime në asete fizike në 27 bashkia, ku 22 janë start up-e me 2405 vende të reja pune në ngritjen e stallave të reja që respektojnë standardet e BE-së për mirëqenien e kafshëve dhe ndikimin në mjedis”.

Në vijim, Krifca tha se “në sektorin e fruta-perimeve kemi mbështetur me 339 investime ne asete fizike në 145 bashki, ku 142 janë start up-e me 3118 vende të reja pune. Kemi mbështetur me zëvendësim plastmasi termik 346 ha sipërfaqesh serrash. Kemi injektuar teknologji dhe infrastrukturë bujqësore të cilat rrisin rendimentin, mbrojnë bimët dhe përmirësojnë teknikat e prodhimit të produkteve”.

Krifca tha se “kemi shtuar 110 mijë m3 ambiente ruajtëse, dhe 32 mijë m3 dhoma frigoriferike që ruajnë produktin pas vjeljes dhe ka ndikuar në rritjen e eksporteve. Kemi përmirësuar proceset e përpunimit të produktit duke mbështetur përpunimin në këtë sektor. Në sektorin e ullirit kemi mbështetur 37 investime në asete fizike në 17 bashki, 15 prej tyre start up-e me 826 vende pune të reja. Janë mbështetur 1349 ha me rrënjë ulli, fabrika vaji për eksport, përmrësimi i teknologjisë së shtrydhjes me ftohje që e ka çuar produktin shqiptar nga Vlora drejt Nju-Jorkut”.

“Kemi mbështetur 36 investime në 18 bashki në sektorin e bimëve medicinale, 10 prej tyre start up-e 555 vende pune të reja. Janë mbështetur 2053 ha shtim sipërfaqesh të mbjella me kultura të ndryshme. Kemi mbështetur mjaltin me 5 investime në përpunim në 5 bashki me 47 vende pune të reja të krijuara, ndërkohë nëpërmjet skemës direkt kemi mbështetur 4 484 956 zgjoje bletësh. Kemi mbështetur 66 investime të reja në bujtina në 32 bashki, 50 prej tyre janë start up-e dhe ku janë gjeneruar 593 vende pune, dhe janë krijuar 1263 shtretër të rinj. Kemi mbështetur peshkimin me 9  investime në 7 bashki me 722 vende pune të reja”, tha ajo.

Krifca shto se “në 2021 fillojmë në mars me aplikimin me zero dokumente për aplikimin e drejtpërdrejtë për blegtorë për krerë, për certifikim, bimë medicinale dhe investime të vogla për rritje kapacitetesh. Ndërkohë për të siguruar përthithjen e fidanëve dhe ndihmuar aksesin në financë kemi miratuar një procedurë për pagesa paradhënie nga 20-50 % për të gjithë investimet që do kontraktohen me programin IPARD. Kemi dëgjuar fermerët për problematikat që kanë në aksesin në financë dhe kemi zgjidhur, si vendi i vetëm në rajon, që kemi miratuar këtë procedurë me Komisionin Europian. Ndërkohë po punojmë me ministrinë dhe komisionin për të akredituar programin IPARD 3 për të filluar në vitin 2022, ku kemi kërkuar 160 milionë euro dhe po shtojmë dhe 5 masa të reja për të rritur  përfshirjen e komuniteteve rurale që e kanë mundësinë tashmë me këto fasha të reja për të aplikuar”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.