Mbështetja për Bujqësinë/ Krifca: 44 milionë euro grante për fermerët dhe agrobiznesin, rritëm në 50 % disbursimin paradhënie

TIRANË, 26 janar /ATSH/ Drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca, u shpreh se, “që prej vitit 2018 kemi injektuar mbi 100 milionë euro investime në sektorin e bujqësisë nga të cilat 44 milionë euro janë dhënë grant për fermerët dhe agrobiznesin”.

Në një intervistë televizive, Krifca theksoi se, “në kuadër të programit IPARD II, kemi lidhur deri tani 260 kontrata me subjekte të ndryshme, për investime që shkojnë nga 10 mijë euro në 2 milionë euro, pra investime që transformojnë tërësisht të gjithë arkitekturën e bujqësisë në Shqipëri dhe kemi financuar 72 subjekte, ndërsa të tjera aplikime janë në proces verifikimi”.

Duke u ndalur në impaktin si asnjëherë më parë të financimit të bujqësisë dhe transformimit që po pëson ky sektor, Krifca veçoi se “Shqipëria ka disa mekanizma për të financuar bujqësinë siç është sistemi bankar por që kërkon kolateral dhe është barrë për fermerin. Një mënyrë tjetër është sistemi mikrofinanciar që ka fleksibilitet për kolateralin, por ka interesa shumë të larta. Ndërsa grantet janë ato të cilat fermeri nuk ka detyrim t’i kthejë mbrapsht”.

“Ajo që kemi bërë ne për ta lehtësuar aksesin e financës së fermerit, është se këtë vit kemi rritur nga 10 % në 50 % disbursimin paradhënie të vlerës së grantit për investimin, që i lehtëson ata të kenë likuiditet për zhvillimin e projektit”, tha Krifca.

Krifca e cilësoi sukses numrin e lartë të aplikimeve në thirrjen e tretë të IPARD II.

“Kanë aplikuar 360 subjekte me një kërkesë në grant në 60 milionë euro, ndërkohë që niveli i financimit të investimeve kalon në 100 milionë euro të tjera vetëm në këtë thirrje”, tha ajo. e.xh/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.