Laver Bariu, ustai i madh i sazeve të Përmetit

TIRANË, 26 janar /ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta përkujtoi sot ndarjen nga jeta të Laver Bariut, artisti që është cilësuar “ustai i madh i sazeve të Përmetit”.

“Ustai i madh i sazeve të Përmetit, artisti ynë i jashtëzakonshëm Laver Bariu, është përjetësuar si një ndër shprehësit më të fuqishëm të halleve, derteve dhe gëzimeve të popullit tonë”, u shpreh Presidenti Meta.

“Kryeveprat frymëzuese muzikore, që na la trashëgim, i përkasin çdo epoke dhe tingujt e kabave të tij të papërsëritshme me klarinetë, do të jetojnë sa të ketë shqiptarë! I paharruar kujtimi i Usta Laverit”, tha Meta.

Laver Bariu (lindi në Përmet më 2 maj 1929, vdiq më 26 janar 2014), ishte personalitet i shquar i muzikës popullore shqiptare si muziktar popullor me gërnetë dhe si këngëtar. Themelues dhe drejtues i sazeve të Përmetit të njohura në gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj.

Ai mund të cilësohet si i fundit prej ustallarëve të traditës së madhe të sazeve të Shqipërisë së Jugut. Sazet e Usta Laverit janë formacioni më i kompletuar i Sazeve të Jugut për periudhën ndërmjet viteve 1950-1990. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.