Karburanti falas/ Skema e re ulë kostot e prodhimit dhe rrit më shumë fitimet e fermerëve

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Në të gjithë vendin vijojnë aplikimet e fermerëve me NIPT në portalin e-Albania për të përfituar naftën falas.

Skema e re e subvencionit do të ulë kostot e prodhimit dhe do të rrisë më shumë fitimet e fermerëve.

Që prej aplikimit të parë të ardhur nga fshati Gruemirë, më 15 janar, më shumë se 1500 fermerë kanë aplikuar deri tani në skemën e karburantit falas për bujqësinë.

Janë rreth 70 mijë fermerë që plotësojnë kushtet për të përfituar nga kjo skemë deri në 25 shkurt, datë kur dhe mbyllet afati i fundit i aplikimit.

Karburanti i subvencionuar është një masë lehtësuese që është provuar që prej vitit 2018 për sektorin e peshkimit. Qeveria shqiptare vendosi që të përjashtonte anijet e peshkimit nga akciza, taksa e karbonit dhe ajo e karburantit, duke zbritur çmimin e naftës për peshkatarët nën 80 lekë/litër, nga mesatarisht 160 lekë/litër që është çmimi i tregut.

Si rrjedhojë e këtij lehtësimi, sektori i peshkimit ka njohur një rritje kolosale në tre vitet e fundit, me eksportet e produkteve të detit që janë rritur nga 15 milionë euro në 100 milionë euro, praktikisht 7-fishim në vetëm 3 vjet.

Skema e karburantit falas për tokën bujqësore, serat dhe drutë frutorë synon të replikojë këtë histori suksesi, duke bërë që produktet shqiptare të jenë edhe më konkurruese në tregun vendas dhe atë të huaj.

Fala masave të tjera të marra gjatë këtyre viteve, mes të cilave rritja e mbështetjes direkte përmes skemës IPARD, 200 milionë euro të investuara për kullim dhe vaditje, ngritja e 224 pikave të grumbullimit apo përjashtimi nga TVSH për shumë produkte bujqësore, eksportet tona ushqimore janë rritur nga 150 milionë euro në 400 milionë euro në vit.

Skema e karburantit falas pritet të japë një kontribut të mëtejshëm, në rritjen e eksportit shqiptar, çka do të sjellë rrjedhimisht në buxhetin e shtetit shumë më tepër të ardhura se sa shpenzimi i planifikuar për këtë skemë.

Skema subvencionuese mbulon të gjithë ata fermerë që janë të regjistruar me NIPT dhe që kanë një sasi toke të punueshme më të madhe se 0.4 hektarë.

Në total, janë 70 mijë fermerë që plotësojnë kushtet për të përfituar nga skema, për të cilën shteti shqiptar ka vendosur në dispozicion në vitin e parë të zbatimit të saj një vlerë totale prej 10 milionë dollarësh.

Përfituesit do të pajisjen me një kartë me çip dhe do të marrin sasinë e tyre falas në pikat e autorizuara të karburantit.

Skema mbështetëse e naftës për bujqësinë mbulon kryerjen e punimeve të mekanizuara për një numër kulturash bujqësore, si bimët e arrave, perimet e fushës dhe serës apo drutë frutorë.

Dokumentat e nevojshme janë statusi aktiv i NIPT-it, dokumenti i pronësisë së tokës dhe një formular vetdeklarimi për kulturat bujqësore të mbjella.

Në bazë të këtij aplikimi përllogaritet sasia e karburantit falas që do të përfitohet nga fermeri, mbi bazën e një koeficienti të caktuar për secilën prej kulturave bujqësore.

Më 25 shkurt është afati i fundit i aplikimit për t’u bërë pjesë e skemës, ndërsa përgjigja për aplikimin merret brenda 30 ditësh./r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.