“Janë dozat për ata që kanë bërë vaksinën antiCOVID”/ Në kontakt të vazhdueshëm me Pfizer, negociata edhe me Astra Zeneca

TIRANË, 26 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria është në kontakt të vazhdueshëm me “Pfizer” për sjelljen e partisë së parë me vaksina.

Në një konferencë për mediat, i pyetur në lidhje me dozën e dytë të vaksinave, Rama u shpreh se, “për ata që kanë marrë dozën e parë patjetër që vaksinat janë aty. Për këtë arsye është bërë edhe kalkulimi që të mos ketë asnjë që të humbi procesin për shkak të mungesës së vaksinës”.

Sa i përket furnizimit me vaksinat nga “Pfizer”, Rama tha se, “’Pfizer’ ka një problem të madh aktualisht me të gjitha vendet. Besoj që e keni ndjekur që Italia ka kërcënuar me proces gjyqësor, për shkak se i janë bllokuar, jo vetëm Italisë, por shumë vendeve, i janë bllokuar ato dozat e premtuara sipas skedulit, sepse ‘Pfizer’ ka lajmëruar një stop për zgjerimin e bazës prodhuese”.

Rama theksoi se, “faktikisht ne jemi në kontakt, jo një herë, po nuk e ekzagjeroj, 7 herë në ditë, për të bërë të mundur që ata të respektojnë kontratën me ne dhe që të na sjellin partinë e parë të dozave”.

“Por ndërkohë siç e kam thënë më parë”, u shpreh Rama, “ne nuk jemi vetëm në dorë të ‘Pfizer’, jemi duke negociuar dhe jemi shumë përpara me negociatat me ‘AstraZenecën’. Shpresoj që në ditët në vijim të mund të jap ndonjë lajm të mirë për këtë. Po këtu asnjëherë nuk mund të thuash me saktësi se kur mund të ndodhin gjërat.

“Ajo që mund të thuhet me plot gojën është që Shqipëria nuk është mbrapa askujt dhe shqiptarëve nuk do t’u mungojë kujdesi për të dalë sa më parë nga kjo flamë dhe nga kjo fazë kaq e vështirë e luftës me COVID-in, në raport me asnjë vend. Kështu që së shpejti shpresoj të japim lajme të mira. Për momentin jemi në komunikim të vazhdueshëm me ‘Pfizer’ dhe shpresoj që dhe ‘Pfizer’ të lëshojë një pjesë të paktën të dozave që ka premtuar si parti e parë. Dhe unë shpresoj që në 10 ditë, dy javët e ardhshme do kemi stabilitet dhe do kemi qartësi dhe do kemi më shumë sesa ç’dini dhe ç’dimë akoma sot, vaksina e kam fjalën”, tha Rama. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.