Fushata “Të Besoj” në Elbasan/ Kushi: T’i kthejmë shkollat në mjedise miqësore dhe mbështetëse

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, i është bashkuar sot aktivitetit “Të Besoj”, organizuar nga UNICEF Albania dhe Bashkia Elbasan, si pjesë e fushatës kombëtare për të mbështetur ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare, në lidhje me problematikën e abuzimit dhe dhunës seksuale të fëmijëve.

“Si Ministri e Arsimit, Sportit dhe Rinisë po punojmë fort çdo ditë që t’i kthejmë shkollat tona në mjedise miqësore ku jo vetëm mësohet, por edhe ofrohet qetësi dhe mbështetje reale për të gjithë nxënësit. Shkollat luajnë një rol të rëndësishëm në zbulimin, parandalimin, por edhe ndërgjegjësimin kundër fenomenit të abuzimit seksual të fëmijëve”, nënvizoi Kushi.

Ajo shtoi se janë ndërmarrë masa konkrete për ta fuqizuar parandalimin e këtij fenomeni, duke përgatitur udhëzues dhe manuale për nxënësit, mësuesit dhe psikologët shkollorë, si dhe me projekte konkrete që ndihmojnë për ta luftuar dhe parandaluar këtë fenomen.

“Njëkohësisht, është shumë e rëndësishme që të gjitha institucionet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe komunitetet shkollore, për t’u përfshirë në fushata të tilla”, u shpreh ministrja. /k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.