Denaj: Orientim i kurseve profesionale drejt kërkesave të tregut të punës

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj vizitoi sot Qendrën e Formimit Profesional në Fier.

Gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë që studiojnë në këtë qendër, ministrja Denaj u shpreh se, që të marrësh një zanat është shumë mirë, sepse e ke të garantuar të ardhurën mujore, jo vetëm për pasionin e një pune, por mbi të gjitha investimi që jep për ta marrë atë zanat.

“Unë vij, jo vetëm si ministrja e fushës suaj, por edhe si një individ që besoj shumë në zanat. Vijmë nga breza të tërë që trashëgojmë dhe zanati është pasuria më e madhe që duhet të kemi, si dhe është shumë mirë, sepse e ke të garantuar të ardhurën mujore, jo vetëm për pasionin e një pune, por mbi të gjitha investimi që jep për ta marrë atë zanat”, theksoi Denaj.

Ndërsa drejtuesi i kësaj qendre, Aleksandër Lalaj, informoi se, kërkesat kryesore nga qarku i Fierit janë për autoservis, elektrik, hidraulik, parukeri, kuzhinë, estetikë dhe kurse të tjera.

Me këto specialitete synohet tregu i punës vendas, por edhe tregu i punës në rajon e më gjerë.

Sipas tij, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Punësimit ka një marrëveshje bashkëpunimi me të gjitha bizneset, çka ka bërë që një pjesë e mirë e kursantëve që mbarojnë këtu pjesën mësimore të gjejnë shpejt treg pune në subjektet private.

Gjithnjë e më shumë të rinjtë po i drejtohen Qendrave të Formimit Profesional, kjo pasi një zanat i ndihmon ata t’i përshtaten kërkesave të tregut, por edhe të ruajnë trashëgiminë mes brezave.

Në Fier, aktualisht po mësojnë dhe praktikojnë zanatin rreth 300 kursantë, që ndjekin 21 drejtime profesionale, kryesisht në profile si autoservis, elektrik, hidraulik, parukeri, kuzhinë, estetikë, etj.

Rreth 104 kursantë që janë profilizuar pranë kësaj qendre janë punësuar përgjatë vitit 2020. Janë 360 orë mësimore që këta kursantë zhvillojnë për të marrë bazat dhe njohuritë mbi zanatin që ata kanë zgjedhur.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.