BRUKSEL – Silva: Synimi ynë zhvillimi i konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe MV

BRUKSEL, 26 janar /ATSH/ – Zgjerimi i Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor mbetet një nga prioritetet e tij, deklaroi ministri i Jashtëm portugez, Augusto Santos Silva në Komisionin për Çështjet e Jashtme të Parlamentit Europian, sipas https://multimedia.europarl.europa.eu/en/committee-on-foreign-affairs_20210126-0915-COMMITTEE-AFET_vd.

”Fillimisht ne synojmë hapjen e kapitujve të tjerë të negociatave me Serbinë dhe Malin e Zi”, tha Silva.

”Por, gjithashtu ne do të përpiqemi për miratimin e kuadrit negociues dhe zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, theksoi ai.

Në një deklaratë me rastin e marrjes nga Portugalia të presidencës së radhës të BE-së, në fillim të janarit, Silva tha se Portugalia do të përpiqet t’i organizojë konferencat e para ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në gjysmën e parë të vitit.

Ai theksoi se hapja e bisedimeve të pranimit me Tiranën dhe Shkupin është mes përparësive të presidencës portugeze./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.