Angazhimet e 25 prillit/ Braçe: Dallimi, ata po i ofrojnë por ne jemi duke i zbatuar

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Zëvendëskryeministri Erion Braçe deklaroi sot se çdo qelizë e Partisë Socialiste është efektive me kohë të plotë për të përmbushur objektivin numerik me 75 mandate në të gjitha qarqet e vendit në zgjedhjet e 25 prillit.

Në një intervistë televizive Braçe tha se “kemi intensifikuar të gjitha kontaktet tona në nivel qendror me drejtuesit politikë të qarqeve. Kemi zgjeruar të gjitha kontaktet në të gjithë territorin, jo vetëm qarqet, por në çdo bashki, deputetë, kryetarë bashkish, kryetarë të njësive, patronazhuesit, çdo qelizë e PS në organizim është efektive me kohë të plotë”.

“Secili ka marrë detyrat e veta, kemi një objektiv të ndarë dhe në qendrën më të vogël të votimit, po ndjekim të gjithë axhendën tonë për të bërë rezultat në çdo qendër votimi. Beteja jonë është pikërisht në qendrën e votimit. Ju dje patë 12 drejtues qarqesh dhe kryetarin e partisë, që janë angazhuar në një shtab drejtues qendror të punëve në parti, por po ju them se është një ushtri njerëzish e angazhuar drejtpërdrejt në territor dhe që ka një fokus çdo qendër votimi dhe çdo votë në përmbushje të këtij objektivi numerik që ne kemi për çdo qendër votimi dhe në tërësinë e vet përbën rezultatin në atë qark dhe të gjitha qarqet bashkë rezultatin edhe mbi 75 mandate po të doni”, – nënvizoi Braçe.

Zv.kryeministri Braçe u shpreh se “një pjesë e angazhimeve tona është materializuar që tani. Unë po dëgjoj me shumë vëmendje konkurrentë të tjerë. Kam dëgjuar Topallin, Patozin, Murrizin, etj., që kanë idetë e tyre për atë që mund të ofrojnë për qytetarët e Republikës së Shqipërisë”.

“Dallimi është që ne po e bëjmë, ata po e ofrojnë, por ne jemi duke bërë. Një pjesë e programit elektoral të Partisë Socialiste natyrisht që është duke u zbatuar janë edhe angazhime që janë marrë më herët që po zbatohen. Natyrisht duhet edhe më tepër. Po t’i referohemi shumë gjërave që po ndodhin në Shqipëri si fenomenet natyrore, por edhe ndryshimet që pandemia ka imponuar me forcë, janë tejkaluar me disafish”, – theksoi Braçe.

Duke folur për situatën e COVID-19, Braçe tha se “nuk do e heq maskën, sepse situata me COVID është e vështirë, pavarësisht masave të marra nga qeveria. Grumbullimi në ditët e festave, pa asnjë masë mbrojtëse, në shkeje të rregullave, njerëzit e shkelën masivisht rregullin dhe pasoja është tani. Sot kishim mbi 870 të infektuar që do të thotë jemi në një situatë të vështirë”.

“Asgjë nuk ka kaluar deri ditën që do vaksinohet personi i fundit. Që të gjithë të vazhdojnë me masat e thjeshta, mosgrumbullime dhe kufizim të lëvizjeve në bare e restorante, grumbullimet në hotele”, – tha Braçe.

Lidhur me situatën nga përmbytjet, Braçe tha se “situata në zonat e përmbytura s’krahasohet me vitin 2010. Vazhdojmë të jemi në një situatë emergjente, pavarësisht investimeve që janë kryer, jo vetëm në kanale të ujërave të larta”.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.