Zgjedhjet e 25 prillit/ Nikolla: Në qarkun e Lezhës thellojmë më tej fitoren si forcë e parë

TIRANË, 25 janar/ATSH-Maela Marini/ Deputetja e Partisë Socialiste, Lindita Nikolla deklaroi sot se “objektivi i PS në qarkun e Lezhës për zgjedhjet e 25 prillit është jo vetëm që t’i ruajmë 3 deputetët që janë marrë në 2017, por ta thellojmë më tej fitoren si forcë e parë në këtë qark”.

E ftuar në një studio televizive, Nikolla foli mbi përgatitjet e PS-së për zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa u ndal më konkretisht te puna që po bëhet në qarkun e Lezhës.

Ajo tha se qarku i Lezhës ka pasur përfaqësues që kanë shprehu ambicien e tyre përmes platformës “Deputeti që duam”.

“Kemi vendosur objektivat. Ai i 2017 është objektivi ynë minimal. Ne duam që t’i ruajmë 3 deputetë që janë marrë në 2017, por patjetër falë punëve që janë bërë, objektivat tona janë për ta thelluar fitoren e PS-së si forcë e parë në qarkun e Lezhës. Listat kanë specifikë se janë lista të hapura, që do të thotë që kushdo që merr votat mund të kaloj në renditje. Ajo që ne duam është që të kemi një skuadër kompakte”, tha ajo.

Nikolla tha se kandidatët do të vijnë edhe nga paltforma “Deputeti që duam” dhe është e rëndësishme është që jo vetëm janë përfaqësues të komuniteteve por edhe persona që do të jenë vlerë e shtuar për PS”.

Ajo theksoi se Kurbini dhe Lezha është kthyer në një kantier rindërtimi, që do t’i japë një frymëmarrje të re gjithë jetës në këto qytete.

“Pritshmëria jonë për thellimin e fitores në zgjedhjet e 25 prillit është te puna që është bërë. Punët që janë bërë janë arsye të forta për të kërkuar një mandat të tretë”, tha ajo.

Nikolla theksoi se kandidatët e PS-së për zgjedhjet e 25 prillit kalojnë në një filtër të hollë jo vetëm për ato që parashikon ligji, por edhe bazuar në sondazhe dhe vlerësime që vijnë nga grupet e interesit. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.