Vizita të shtuara/ Mjekja okuliste, Zhuka për ATSH-në: Pasoja në shikim tek pacientët pasi kalojnë COVID-19

TIRANË, 25 janar/ATSH-Bledi Naska/ Mjaft pacientë të cilët e kanë kaluar COVID-19 ankohen për pasoja afatgjata, mes të cilëve edhe probleme me shikimin. Mjekët okulistë raportojnë vizita të shtuara pikërisht nga pacientë që kanë kaluar Covid-in, të cilëve u kanë konstatuar diagnoza të ndryshme, nga ato të lehta e deri tek të rëndat.

Në një intervistë për ATSH-në, mjekja okuliste dhe doktoresha e Shkencave Mjekësore Suzana Zhuka, shpjegon pasojat më të shpeshta që janë hasur tek pacientët e prekur me Covid-19.

Apeli më i fortë i mjekes për qytetarët është që nuk duhet të neglizhojnë vizitën tek mjeku sidomos në periudhën që po kalojmë.

“Pas një eksperience njëvjeçare me pandeminë në punën tonë si okuliste kemi konstatuar se pacientët që kanë kaluar Covid-19 kishin shqëtesime të formave të ndryshme në lidhje me shikimin”, u shpreh ajo.

“Së pari, duhet të theksoj se kjo varet nga shumë faktorë që kanë lidhje me formën e lehtë apo të mesme që kalon secili. Së dyti, me terapinë që kanë përdorur pacientët dhe së treti me sëmundjet shoqëruese të tyre”, vijoi mjekja.

“Shumë raste janë paraqitur tek ne me ankesa, dhimbje të syrit, skuqje, shikim të turbullt. Pra, kemi diagnostikuar shumë pacientë me herpes viral (nga Covid) që kanë dëmtime në korne (xhami i syrit) që quhet keratitis viral. Nuk duhet neglizhuar, duhet të fillohet menjëherë mjekimi lokalisht në sy me antiviral”, theksoi Zhuka.

Sipas saj, pacientët duhet të kenë kontrolle të rregullta te okulisti për të parë ecurinë e sëmundjes.

“Sot konkretisht kisha një rast me keratit viral, një zonjë 65 vjeçe e cila e kishte neglizhuar vizitën tek okulisti dhe vjen pas tri javësh me shikim të ulur”, tregoi mjekja Zhuka.

Në vendin e dytë të pasojave që lë koronavirusi te pacientët, sipas saj, është hemorragjia subconjuktivale (hemorragjia në sipërfaqe të syrit tek cipa e bardhë qe quhet conjuktiva)”.

Për shkak se nuk ka trajtim të posaçëm për kurimin e COVID-19, medikamentet e ndryshme që përmban protokolli i mjekimit mund të kenë edhe efekte anësore te pacientët.

Mjekja Suzana Zhuka, sqaron se shkaku i hemorragjisë tek e bardha e syrit është përdorimi i holluesve të gjakut tek pacientët me Covid.

“Ndodh te personat që kanë përdorur për një kohë të gjatë hollues të gjakut. Për fat të mirë këto raste nuk ndikojnë në shikim. Hemorragjia absorbohet gradualisht. Edhe këto raste duhet të kontrollohen rregullisht tek okulisti”, shpjegoi Zhuka.

Po ashtu, ajo shpjegon se glaucoma (tensioni i lartë i syve) ndodh tek pacientët që kanë përdorur dexamethason.

“Për fat të keq tensioni i syve ndikon në uljen e shikimit. Tek këto raste duhet një kujdes i veçantë, duhet të monitorihet tensioni i syve, të mbahet nën kontroll. Mjekohen me antiglaucomatozë lokalisht në sy. Shkalla e dëmtimit varet sa kohë ka përdorur dexamethason, në çfarë doze”, vijoi ajo.

Mjekja Zhuka rendit si problem më të rrallë tek pacientët hemoragjinë retinal.

Nuk kanë munguar as rastet kur pacientët janë paraqitur në një gjendje të rënduar.

“Pacientët ankohet për ulje të shikimit. Këto raste janë më të vështira, duan një ekzaminim të hollësishëm të shtresave të retinës. Duhet trajtim më specifik që kërkon hospitalizim të pacientit. Pra nuk mjekohen ambulatorisht”, përfundoi mjekja Zhuka. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.