Siguria ushqimore/ 485 inspektime dhe monitorime në të gjithë vendin

TIRANË, 25 janar /ATSH – I. Vata/ Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, vijojnë pandërprerë inspektimet dhe monitorimet në të gjithë vendin, në zbatim të planit të punës, por edhe si pjesë e taskforcës antiCovid.

Gjatë kontrolleve zyrtare për garantimin e sigurisë ushqimore në operatorë të biznesit janë dhënë 24 masa me paralajmërim, përgjithësisht për rinovim të librezës shëndetësore, të planit të dezinfektimit, si dhe rinovim i analizave mikrobiologjike të ujit.

Referuar planit të marrjes së mostrave janë marrë 17 mostra në monitorim të produkteve ushqimore.

Në zbatim të Urdhrit nr. 28 datë 21.10.2020 “Për bashkërendimin e inspektimeve për zbatimin e protokolleve të sigurisë në kuadër të taskforcës antiCOVID-19” inspektorët e DRAKU-ve përveç monitorimeve të subjekteve kanë këshilluar 285 qytetarë për mbajtjen e maskave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Gjatë monitorimit në subjekte, u krye vëzhgimi mbi përdorimin e maskave nga punonjësit ku kanë rezultuar se përdorimi i tyre bëhet në të gjitha subjektet.

Gjithashtu u realizua këshillimi i përfaqësuesit të subjektit për ruajtjen e distancës së sigurisë gjatë blerjeve të bëra dhe këshillimi i qytetarëve në rrugë mbi domosdoshmërinë e mbajtjes së maskave. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.