Rindërtimi në Manzë/ Rama u dorëzon çelësat 3 familjeve: Në Shqipëri banesat po merren falas

TIRANË, 25 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Manzë, Durrës, ku po vazhdojnë çdo javë kthimet në shtëpi të familjeve të prekura nga tërmeti, të cilat rinisin jetën e ndërprerë nga tragjedia në banesa më të bukura, më të forta e më të mëdha se ato që humbën një vit më parë.

Kryeministri Rama i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj u dorëzoi sot çelësat e banesave të reja 3 familjeve të tjera.

Kryeministri theksoi faktin se banesat në Shqipëri po merren falas, ndërsa solli shembullin e Turqisë, ku banorët e dëmtuar nga tërmeti i përfitojnë ato me kredi, nuk i marrin falas. “Në Turqi pas tërmeteve marrin kredi, nuk i marrin falas. Ne i bëmë falas. Ne jemi duke bërë një program me kreditë e buta me të pastrehët e për çiftet e reja, por për ju nuk kishim se si”, tha Rama.

Po ashtu, ai theksoi se kënaqësia më e madhe është kur hyn në shtëpinë e re të një familje që nuk besonte se kjo do të ndodhte.

“Nuk e keni besuar. Nuk ka kënaqësi më të madhe sesa me u fut në shtëpi me ata që nuk besonin. Do t’i bëjmë një për një të gjitha deri tek i fundit fare. Nuk bëhen dot të gjitha menjëherë duhet pak kohë, por do t’i bëjmë”, tha Rama.

Ndërkohë Ahmetaj tha se aktualisht në çadra janë 860 familje nga 11 mijë që kanë qenë në janarin e kaluar dhe të gjithë po marrin bonusin e qirasë.

Në bashkinë e Manzës, ai theksoi se janë 215 njësi individuale për t’u rindërtuar. “Kanë filluar 60 dhe pjesa tjetër është në prishje dhe largim inertesh. Në bashkinë e Durrësit janë 785 banesa që me rivlerësimin shkojnë në 1 mijë banesa. Në këtë bashki ka 30 aplikime për grantin kesh kur nuk ndërtohet dot shtëpia”, tha Ahmetaj.

Ai theksoi se programi i rindërtimit është unik, që gjithë qytetarët që janë dëmtuar kanë marrë shtëpi falas. “Është i paprecedent si program social. Nëse do të ndiqej formula e zakonshme si në vendet e tjera, banorët do të shkonin në banka të merrnin kredi”, tha ai. /m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.