Pikë moderne grumbullimi në Maminas me mbështetjen e AZHBR-së/ Investime që krijojnë platformë te re për zhvillimin e bujqësisë

TIRANË, 25 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Maminas, Shijak, në kompaninë “Kronos”, që falë mbështetjes nëpërmjet fondeve të akorduara nga AZHBR përmes Programit IPARD II, po ngre një pikë moderne grumbullimi 3013.9 m2, me dhoma frigoriferike të standardeve për mbledhjen, ruajtjen dhe përpunimin e fruta-perimeve në kushte optimale cilësie.

I shoqëruar nga drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca, Kryeministri Edi Rama pa nga afër investimin që po kryhet në këtë pikë grumbullimi.

Rama vlerësoi se “gjithë kjo punë që është bërë me investimet në pikat e grumbullimit është transformuese sepse ka krijuar një platformë të re për bujqësinë dhe i ka dhënë lehtësi të madhe fermerëve që prodhojnë dhe mblidhen te pikat e grumbullimit dhe e kanë shumë të thjesht”.

Ndërkohë drejtoresha e AZHBR-së tha se tashmë fermerët po mësojnë të bashkëpunojnë dhe po krijohet një dinamikë e re në treg.

“Kjo kompani ka investuar në sera me xham, që janë shumë ekologjike. Tashmë po ndërton pikën e grumbullimit frigoriferike, një kapanon me dy dhoma frigoriferike që do të përpunoje dhe gjithë produktin e fermerëve të zonës, si serra edhe pemëtari. Gjithë investimi kap një vlerë prej 166 milionë lekë, prej të cilave granti i mbështetur shkon në 83 milionë lekë dhe parashikon ndërtimin në mbi 3 mijë m2, plus dhomat e përpunimit dhe dhomat frigoriferike”, tha ajo.

Krifca vlerësoi se kjo është një fermë model dhe objektivi i ardhshëm është që të bëhet një qendër agroturistike e hapur për publikun dhe në vijim edhe për eksport.

Me këtë fermë bashkëpunojnë rreth 250 fermerë në gjithë zonën që prodhimet e tyre në fund i grumbullojnë këtu që t’i përpunojnë. Aktualisht ferma ka 25 të punësuar, ndërsa parashikohet që numri i tyre të rritet në 50 në vitin e parë të punës si pikë grumbullimi, ku parashikohet që të përpunohen 300 tonë produkte vitin e parë.

Krifca theksoi se të mbështetura nga AZHB kemi rreth 53 pika grumbullimi fruta-perime. “Kemi kontraktuar 29 subjekte vetëm përmes IPARD, pra janë rreth 39 milionë euro investime që po shkojnë vetëm për pikat e grumbullimit dhe shtimin e kapaciteteve ruajtëse frigoriferike e përpunuese për produktet bujqësore”, tha ajo.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.