TIRANË, 25 janar /ATSH/ Ministri i Brendshëm, Niko Peleshi shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të profesor Agim Sulajt, një prej pedagogëve më të vjetër dhe më të vlerësuar të Akademisë së Forcave të Armatosura.
“Kolonel Agim Sulaj, pedagogu i shkëlqyer i Akademisë së Forcave të Armatosura ka humbur sot betejën me COVID-19. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe kolegët”, u shpreh Peleshi.
Edhe ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të profesor Agim Sulajt.
“Trishtim e dhimbje pas lajmit për largimin nga jeta të profesor Agim Sulaj, një prej pedagogëve më të vjetër dhe më të vlerësuar të Akademisë së Forcave të Armatosura. Pata nderin të punoj me të, për një prej projekteve që ai kishte aq shumë përzemër: akreditimin e AFA si i vetmi institucion i arsimit të lartë për mbrojtjen dhe sigurinë në vend”, tha Xhaçka.
Xhaçka shprehu, “mirënjohje e nderim për pedagogun, që me shumë përkushtim kontribuoi në përgatitjen e brezave të tërë ushtarakësh dhe punoi më shumë profesionalizëm, për atë që Akademia e Forcave të Armatosura është sot”.
“Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve e kolegëve”, tha ministrja Xhaçka.
/r.e/