Komisioni i Veprimtarisë miraton kandidaturën e Lorenc Bakos, anëtar të Këshillit Drejtues të AKEP-it

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Komisioni i Kuvendit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi sot një seancë dëgjimore me kandidatin për anëtar të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).

Kandidati Lorenc Bako, i propozuar nga Kuvendi, prezantoi angazhimin dhe objektivat e tij në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare, që siç tha ai “krahas shumë drejtimeve ka në fokus kryesor mbrojtjen e konsumatorëve”.

Në këtë kontekst Bako vuri theksin në risitë që ka ndërmarrë AKEP së fundi në mbrojtjen e konsumatorëve, siç është p.sh tha ai “heqja e tarifave roming fillimisht me Kosovën dhe pastaj me vendet e Ballkanit Perëndimor. Apo miratimi i rregullores së re në mbrojtjen e konsumatorëve, që i ka hapur rrugë zgjidhjes së ankesave të qytetarëve për çështje të ndryshme në fushën e komunikime elektronike”.

“Përgatitja e regjistrit me numrat komercial, të telemarketingut, është një tjetër risi ligjore që i vjen në mbështetje konsumatorëve, për të mos pranuar thirrje nga këto numra”, u shpreh Bako.

Pas dëgjesës, komisioni miratoi kandidaturën e Lorenc Bakos, duke ia kaluar për shqyrtim emrin e tij në seancës plenare të radhës. e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.