Heqja e akcizës së naftës/ Festim Shytaj: Si bëhen fermerët pjesë e skemës së përfitimit

TIRANË, 25 janar/ATSH/ Të gjithë ata fermerë që punojnë tokën bujqësore, që mbjellin kultura bujqësore dhe janë të regjistruar me nipt do të thotë përfitojnë naftë pa taksa.

Përgjegjësi i Sektorit të Këshillimit dhe Informacionit në Ministrinë e Bujqësisë, Festim Shytaj në një intervistë në medie shpjegoi kategorinë e fermerëve që do të jenë përfitues nga skema e mbështetjes me naftë.

“Përfitojnë të gjithë ata që punojnë tokën bujqësore, që mbjellin kultura bujqësore. Fermerët duhet të jenë me NIPT aktiv”, u shpreh Shytaj.

Ai informoi edhe mbi dokumentacionin që duhet të kenë fermerët për t’u bërë pjesë të skemës së mbështetjes me naftë.

“Fermerët duhet të kenë NIPT-in aktiv, duhet të kenë edhe dokumentacion për pronësinë e tokës. Përfitues janë edhe ata që e kanë marrë tokën me qira nga të tretët, ose ata që e kanë marrë në përdorim nga bashkëfamiljarët, ose nga ata që kanë përfituar tokë sipas ligjeve përkatës në vite të ndryshme të reformës nga ligji 7501 në ’91 nga ish-kooperativat bujqësore, ligji tjetër në ’93 për ish-ndërmarrjet bujqësore”, tha Shytaj.

Shytaj sqaroi për mënyrën e aplikimit ku fermerët mund të bëhen pjesë e skemës së përfitimit të naftës.

“Supozohet aplikimi të bëhet online nga shtëpia nga kushdo që ka një smartphone. I vetmi dokument që duhet skanuar është dokumenti i pronësisë, por gjithashtu ne kemi vënë në dispozicion të gjitha strukturat tona rreth 79 zyra në të gjithë vendin me 149-150 persona që ofrojnë asistencë, informacion, por njëkohësisht edhe ndihmë për të aplikuar të gjithë atyre që nuk mund të aplikojnë dot nga shtëpitë e tyre”, shtoi Shytaj. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.