Çekët të irrituar nga disiplina gjermane për Covid-19

PRAGË, 25 janar /ATSH-DPA/ – Çekët që punojnë në Gjermani janë zemëruar nga një regjim i intensifikuar i testimit që u kërkohet udhëtarëve të rregullt ndërkufitarë, pasi u kërkohet vazhdimisht të bëjnë teste të reja Covid-19.

Që nga e diela, udhëtarët ndërkufitarë duhet të paraqesin një test negativ për koronavirusin sa herë që udhëtojnë në Gjermani, i cili nuk duhet të jetë më i vjetër se 48 orë.

Kjo sepse Republika Çeke është klasifikuar si një zonë me rrezik të lartë nga autoritetet shëndetësore gjermane.

”Kjo e bën jetën më të vështirë për punëtorët ndërkufitarë dhe familjet e tyre”, theksoi Jan Triska i Shoqatës Çeke të Udhëtarëve (APCR).

Shumë besojnë se masat kufizuese janë të motivuara politikisht.

“Politikanët në Gjermani ia atribuojnë situatën e pafavorshme koronavirusit udhëtarëve çekë, edhe nëse nuk ka të dhëna përkatëse”, tha Triska.

Vlerësohet se midis 35 000 dhe 60 000 çekë udhëtojnë rregullisht në Gjermani për punë. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.