Bushati: Taksa e sheshtë 9 % është eksperimentuar në Mongoli, Shqipëri e disa vende të tjera dhe ka dështuar

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati u shpreh se “politika e qeverisë për zbatimin e taksës progresive ka bërë që mbi 82 % e qytetarëve shqiptarë që marrin një rrogë të paguajnë nën 5 % taksa, niveli më i ulët se asnjëherë më parë”.

Gjatë një interviste televizive, Bushati tha se, gjysma e shqiptarëve nuk paguajnë asnjë tatim, ky është fakt, pra gjithçka që paraqesin forcat alternative nuk qëndron.

“Sot 91 % e të gjitha bizneseve në Shqipëri nuk paguajnë tatim fitim. Ndërsa 12 % e të gjithë të punësuarve në Shqipëri nuk paguajnë as tatimfitim, as tatim mbi pagën. Gjithashtu të gjithë ata që iu rrit paga minimale nga 22 mijë në 30 mijë lekë, nuk do të paguajnë asgjë mbi rrogën e tyre dhe vetëm fashat nga 30-70 mijë lekë paguan 5 %, dhe 5 % është i më e vogël se 9 % që janë zgjuar sot opozitarët e mendojnë se kanë ofertë partitë politike”, – tha ai.

Bushati theksoi se, taksë progresive, paguan sot më shumë nga sa ishte më përpara vetëm 2.5 % e atyre që marrin sot mbi 400 mijë lekë.

“Nuk po dëgjojmë një ofertë politike nga garuesit në zgjedhjet e 25 prillit do të kenë një program të majtë sipas një partie të majtë, apo një program të djathtë. Për sa kohë nuk do të kenë një ofertë politike ku të flitet mbi baza programatike, por do të kemi një situatë që në mungesë të programit do të shkojë drejtë përbaltjes. LSI vazhdon të mbetet një lëvizje nuk arriti do të bëhej një parti ndonëse mbetet një lëvizje shtëpiake dhe nuk u bë dot parti. Nuk e di si do e sjellë programin LSI dhe si do t’i harmonizojë me ato që mendon mund të hyjë në zgjedhje. Dhe nëse flasim për taksë 9% nuk ka lidhje ma atë që ka një force e  majtë, siç është LSI. Taksa e sheshtë ka qenë një eksperiment në 4, 5 vende që ka dështuar”, tha Bushati.

Ai tha se, taksa progresive është në çdo vend të botës.

“Taksa progresive mbron shtresat më vunerabël dhe Shqipëria është një vend në zhvillim dhe ka nevojë për mbështetjen e shtetit. Megjithatë taksa progresive ka shekuj që është në të gjitha vendet e botës. Taksa e sheshtë ka që qenë një propozim i viteve të fundit dhe është eksperimentuar me dështim të plotë jo vetëm në 5, por 6 deri në 10 vende. Ndërkohë që taksa progresive është në shumë vende. Taksë të sheshtë nuk ka as në Itali, Angli, Francë, SHBA dhe asnjë vend i BE. Pra nëse PD mendon se do të ketë program gjithnjë duke ulur nga 1 % taksat ka rrugë të gjatë për të bërë deri në 0 %”, – tha Bushati.

Bushati u shpreh optimist se viti 2021, duke e cilësuar si vitin e ringritjes ekonomike pas vitit të vështirë 2020 që kaloi vendi nga tërmeti dhe pandemia.

Investimet publike që prekin shifrën rekord 1 miliard lekë dhe Programi i Rindërtimit krahas politikave mbështetëse do të japin impuls të ri ekonomisë së vendit. e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.