Bushati: LSI nuk u bë kurrë parti politike, pronë pa strategji e pa ide e atyre që e themeluan

TIRANË, 25 janar /ATSH – I. Vata/ “Ndryshe nga ajo që socialistët e quajnë PS si “familja e madhe”, LSI nuk arriti kurrë të hedhë rrënjët e një të tille, përkundrazi, mbeti thjesht pronë pa strategji e pa ide e atyre që e themeluan”, deklaroi sot në një intervistë televizive kryetari i PS-së së Tiranës, Ervin Bushati.

Bushati i cili do të mbajë edhe peshën e organizimit në qarkun më të madh të vendit për zgjedhjet e 25 prillit, u ndal edhe tek largimet nga LSI.

Ai u shpreh se LSI po humbet, sepse nuk po arrin dot më të “joshë” njerëzit e saj, që mesa duket kanë zgjedhur një alternativë tjetër.

Në ditën kur LSI prezantoi programin e saj qeverisës për 25 prillin, Bushati shprehet se LSI nuk është e qartë aq vetë nëse garon me të majtën apo të djathtën.

“Partia shtëpiake, e themeluar më shumë se një dekadë më parë nga Ilir Meta dhe drejtuar sot nga e shoqja, Monika Kryemadhi”, sipas Bushatit, nuk ka program e as ofertë konkrete për shqiptarët.

Kreu i PS së Tiranës thekson se për të, LSI, ende pas 17 vitesh, nuk është një parti. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.