10 ditë nga çelja e aplikimeve/ 3200 fermerë aplikojnë për të përfituar naftë falas

TIRANË, 25 janar/ATSH/ Kur kanë kaluar 10 ditë nga çelja e aplikimeve për të përfituar naftë pa taksa 3200 fermerë janë regjistruar për t’u bërë pjesë e kësaj skeme.

Ministrja e e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi bëri të ditur se skema e re e subvencionit të naftës falas është pritur me interes nga fermerët.

Në të gjitha pikat e caktuara në Agjencitë e Ekstensionit Bujqësor dhe Agropikat ka nisur prej datës 15 janar dorëzimi i dokumentacionit të kërkuar dhe aplikimi online në portalin e-albania.

“Kanë kaluar 10 ditë nga nisja e procesit dhe në sistem janë regjistruar 3200 fermerë. Nga ana e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është ofruar e gjithë mbështetja për fermerët përfitues të skemës, me informacione mbi mënyrën e aplikimit dhe dokumentacionin që nevojitet, si dhe me staf në zyrat e AREB-eve dhe Agropikave që ndihmojnë në aplikimin online”, deklaroi Ekonomi.

Aplikimet online do të zgjasin deri më 25 shkurt. Për vitin e parë, në total ky program do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 10 milionë dollarë, ndërsa llogariten mbi 80 mijë fermerë përfitues. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.