Veliaj: PD-LSI kanë nisur shpifjet e baltosjen se vetëm kjo u ka mbetur. Kanë dy dekada që përçajnë dhe sundojnë shqiptarët

TIRANË, 24 janar/ATSH/- Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, u ka drejtuar një thirrje qytetarëve, duke u kërkuar të mos u besojnë partive që duan të riciklojnë njerëz që pasi u provuan në krye të vendit, vranë e dogjën, sot i shesin si ndryshim. Sipas tij, kultura e tyre është “përça e sundo”, prandaj edhe ditët e fundit kanë nisur lumin e baltës dhe shpifjeve.

“Këto ditë do dëgjoni plot çudira. Do fillojë lumi i baltës dhe i shpifjeve. E dini pse s’duhet të habitemi? Sepse këtyre kjo u ka mbetur, një stil kanë: përça dhe sundo. Për dy dekada, Saliu dhe Meta i përçanë shqiptarët. Ju kujtohet ’97? Ju kujtohet ’98? Ju kujtohen sulmet me bazuka e tanke kundër kryeministrisë? Tamam “përça dhe sundo”? Ndaj jugun me veriun, ndaj të krishterë dhe myslimanë, ndaj fshatin dhe qytetin dhe u eci, por tani mjaft më! Njerëzit e kanë kuptuar. Ata e patën shansin ta bënin Tiranën, të ndërtonin një shkollë. E çfarë bënë? Vranë njerëz me plumba në mish. Ende s’ka kërkuar njeri falje. Për pak vjen përvjetori i Gërdecit. Ministrat e Gërdecit na i sjellin si kandidatë dhe thonë, “ne jemi ndryshimi””, u shpreh Veliaj.

Ai tha se ata që sot thonë jemi ndryshimi, janë riciklimi i mbetjeve, karikaturave, vjetërsirave dhe një pjese të madhe të kriminalizuar të politikës.

“Kush është ndryshim nga këta? Saliu? Ai ka kaluar moshën e Enverit, tani kërkon të vijë për herë të tretë, t’u hipë kalaqafë shqiptarëve. Po Luli? I provoi të gjitha postet e qeverisë, edhe Bashkinë e Tiranës, bëri një vrimë në ujë. Shtoi 5 vila në kohë të pandemisë, kur njerëzit janë pa shtëpi. Fatmir Mediu në Gërdec? Erdhi përvjetori i Gërdecit. Ky është ndryshimi? Imagjinoni të ishte Nard Ndoka dhe Petrit Vasili ministër Shëndetësie në kohë të pandemisë. Këta janë riciklimi i të gjitha mbetjeve, karikaturave, vjetërsirave dhe një pjese të madhe të kriminalizuar të politikës. Në Tiranë si kandidaturë do sjellin prokurorin që s’merrte dot vizë amerikane dhe që vetting-u e nxori jashtë. Do sjellin ndërtuesin që kishte ndërtuar brenda në ujë në Vlorë – këta janë kandidatët e Ilir Metës dhe Monikës,” deklaroi drejtuesi politik i PS në Tiranë.

Veliaj tha se PS nuk është perfekte, por është e vetmja forcë që punon për ringritjen dhe shërben me pasion për qytetarët.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.