STUDIM – Sistemi diellor i formuar në dy faza

ROMË, 24 janar /ATSH-ANSA/ – Sistemi diellor është formuar në dy faza, sipas një hipoteze të sugjeruar nga të dhëna të reja dhe një simulim, i aftë të shpjegojë shumëllojshmërinë midis planetëve më të brendshëm shkëmbor, Mërkurit, Venusit, Tokës, Marsit dhe atyre të gaztë, siç është Jupiteri, sipas një rezultati të publikuar në revistën “Science”, i bazuar në përfundimet e studiuesve të koordinuar nga Tim Lichtenberg, i Universitetit Britanik të Oksfordit.

“Sistemi diellor i brendshëm, i cili u formua më herët dhe është më i thatë, dhe Sistemi diellor i jashtëm, i cili u formua më vonë dhe është më i lagësht, janë të ndryshëm për shkak të dy rrugëve të ndryshme evolucionare”, vuri në dukje Lichtenberg.

Kjo, shtoi ai, “hap rrugë të reja për të kuptuar origjinën e atmosferës së planetëve të ngjashëm me Tokën”.

Vëzhgimet e fundit mbi disqet e pluhurit dhe gazrave që formohen rreth yjeve të porsalindur kanë treguar se në rajonin e diskut ku lindin planetët mund të ketë nivele turbulencash të tilla që ndërveprimet midis kokrrave të pluhurit në disk dhe ujit mund të shkaktojnë dy shpërthime të ndryshme të formimit të tullave të planetëve.

E para ndodh në rajonet më të brendshme të sistemit planetar dhe e dyta ndodh më vonë në një rajon më të largët. Dy episodet e dallueshme të formimit përcaktojnë mënyra të ndryshme gjeofizike të evolucionit: në rajonin e brendshëm dhe më afër yllit, tullat e planetëve pësojnë dehidrim të shpejtë, ndërsa në rajonin e jashtëm ato mbeten më të lagështa.

Për ta vërtetuar këtë, studiuesit zhvilluan një simulim të formimit të Sistemit Diellor, duke treguar se me të vërtetë ndryshimi midis planetëve të brendshëm shkëmbor dhe atyre të gaztë të jashtëm mund të shpjegohet nëse këta planetë kanë lindur në dy faza të ndryshme./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.