Peizazh përrallor nga Maja e Shenjtë e Tomorit

TIRANË, 24 janar/ATSH/ Mali i Tomorit, një nga bukuritë e rralla të natyrës, me Majën e Shenjtë që zotëron pamje nga të gjitha pikat e horizontit, është një nga vendet më të vizituara në Shqipëri, në mënyrë të veçantë nga besimtarët bektashinj në pelegrinazhin e tyre të përvitshëm.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një foto nga Maja e Shenjtë e Tomorit mbuluar nga bora ku udhëtimi drejt këtij destinacioni do të bëhet më i lehtë dhe më i shpejtë pas përfundimit të rrugës së re që po bëhet realitet pas dhjetra vitesh premtime.

“MIRËMËNGJES, dhe me këtë peizazh përrallor nga Maja e Shenjtë e Tomorrit, ju uroj një të dielë të qetë”, shprehet Rama, krahas fotos ku petku i borës ka mbuluar Tyrben e Abaz Aliut, në lartësinë 2417 m mbi nivelin e detit, në Çukën e Tomorit.

Përfundimi i rrugës që deri më tani ka bërë të mundur shkurtimin e 7 kilometrave të para, do të ju shërbejë jo vetëm besimtarëve bektashinj, që rrinin rrugëve me orë të tëra për të shkuar deri tek Maja e Shenjtë, por edhe zhvillimit të turizmit në gjithë qarkun e Qarkun e Beratit. Krahas investimit në rrugën drejt Malit të Tomorrrit, po rehabilitohet edhe i gjithë sheshi pranë Teqesë në mal për të krijuar një ambient të përshtatshëm për komunitetin bektashi.

Tyrbja e Abaz Aliut, konsiderohet një vend i shenjtë dhe i adhuruar. Çdo fundgushti nga data 20 deri në datën 25, në këtë vend organizohet një ritual dhe një festë madhështore nga besimtarët e sektit bektashi e cila përbën festën më të rëndësishme të vitit. Gjithashtu, gjatë këtyre ditëve të festës, ai vizitohet edhe nga shumë njerëz të besimeve të ndryshme.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.