IGJEUM: Në 24-26 janar reshje intensive shiu, borë në zonat malore

TIRANË, 24 janar/ATSH/ Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) bën të ditur se në datat 24-26 janar 2021 priten reshje intensive, të cilat do të jenë më të përqëndruara në veri dhe në jug të territorit.

Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM, këto reshje do të sjellin rritje të prurjeve dhe niveleve në Lumenjtë Drin-Buna, Liqenin e Shkodrës dhe Lumin Vjosa.

Në pjesët e sipërme të këtyre baseneve lumorë, mund të ketë vërshime të shpejta të përrenjve dhe lumenjve më të vegjël të shoqëruara edhe me rrëshqitje të dherave, kryesisht në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër.

Lumenjtë e tjerë do kenë rritje të prurjeve, por parashikohen me rrezik më të ulët nga përmbytjet.

Në veri dhe verilindje të vendit, sot dhe nesër reshjet priten të jenë edhe në formë dëbore në lartësitë më të mëdha se 300 mbi nivelin e detit./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.