Deputetja e LSI-së, Ediola Braha i bashkohet PS-së/ Çuçi: Betejë mes të ardhmes dhe të shkuarës

TIRANË, 24 janar/ATSH/ Ish-deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ediola Braha i është bashkuar Partisë Socialiste.

Lajmin e bëri të ditur, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi nga një takim në Tepelenë.

Skuadrës fantastike të Partisë Socialiste në Tepelenë iu bashkua edhe deputetja e LSI-së, Ediola Braha. S’ka më asnjë dyshim se partia që kryetari i opozitës e ka quajtur “SHPK-ja e tregtarit të Venedikut”, po shkon drejt shkërmoqjes totale dhe më 25 prill do të marrë goditjen finale”, u shpreh Çuçi gjatë një takimi me strukturat.

Sipas tij, angazhimi me LSI-në dhe vota për këtë parti është një mundësi e çuar dëm.

“Kaq gjë shqiptarët e kanë të qartë dhe do ta dëshmojnë me votë. Partia Socialiste është e vetmja e mirë që ka sot politika shqiptare. Në këto zgjedhje nuk diskutohet thjesht mandati jonë i tretë, por jemi në një betejë mes të ardhmes dhe të shkuarës. Ata janë e shkuara e rrëmujës dhe e rrënimit që nuk meritojnë më besim”, theksoi ministri Çuçi.

Më herët edhe figura të tjera të rëndësishme të LSI-së deklaruan angazhimin e tyre me Partinë Socialiste, mes të cilëve edhe ish-ministri Nasip Naço. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.