Basha përdor një video të Elvis Naçit të 2018-ës/ Rama publikon reagimin e kryefamiljarit: Do ta ndjek në rrugë ligjore

TIRANË, 24 janar/ATSH/  “Jam ndier shumë keq dhe më janë kthyer edhe njëherë dhimbja e trishtimi. Nuk mund të përdorin një video timen dhe të dy fëmijëve të mi që pothuajse për mua janë jetimë, për politikë. Si mund të bëhet kryeministër një person që merret me dy jetimë, do të ndjek rrugën ligjore”.

Kështu shprehet Agim Qosja, i cili bën të ditur se do të padisë kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, pasi ka përdorur një video të emisionit të Elvis Naçit të tre viteve më parë, ku Qosja  tregon jetën e tij të vështirë dhe të varfër.

Kryeministri Edi Rama publikoi videon ku Qosja tregon se si i ka ndryshuar jeta, pas 3 vitesh, që kur është filmuar edhe kjo video.

“Pa koment dhe me keqardhje për çka mund ta shihni e ta gjykoni vetë! Kujdes nga helmi i dizinformimit”, – shprehet Rama.

Në rrëfimin e tij Agim Qosja thekson se “këtë çështje do ta ndjek edhe në rrugë ligjore, nuk e di sa do më jepet mundësia por do ta ndjek edhe në rrugë ligjore. Do të padis Bashën për përdorimin e kësaj videoje”.

Pasi, vijon Qosja, ajo që paraqitet në video nuk është më gjendja ime reale. “Qëkur më ka rikonstruktuar shtëpinë Elvis Naçi jeta ime ka ndryshuar”, tha ai.

“Kam gjetur një punë më të mirë dhe më kanë ndihmuar edhe më mbrapa se më rregulluan shtëpinë. Komuna më ka ndihmuar me libra e ndihma të tjera, jam më mirë, bëj një jetë normale”, – tha Qosja.

Sipas tij, nuk është politikan një njeri që merret me dy fëmijë jetimë dhe video të të kaluarës.

“Unë nuk merrem me politikë vetë. Jam ndjerë shumë keq, nuk dija asgjë, vetëm kur më tha një shok. Unë e kam kaluar atë gjendje, po vazhdoj jetë të re, tani jam shumë mirë dhe jam ndjerë shumë keq që më ka kthyer një gjë shumë të hidhur për fëmijët dhe për mua, pasi fëmijët janë rritur dhe bëhen pjesë e një bisede që nuk duhet bërë. Dua ta harroj sa më shumë atë të keqe e rrinë e ma kujtojnë”,- tregon ai.

Hoxhë Ilir Selba tha se “Bashës i ka interesuar që t’ua shesë shqiptarëve këtë filmim të viteve të shkuara.

“Të hedhësh poshtë punën e një fondacioni të mrekullueshëm siç është “Shqiptarët për shqiptarët”, punën e njerëzve që rrinë në terren çdo ditë për shkak të bërjes politikë me këto filmime që nuk janë ekskluzivitet i atyre, por e shikoni me sytë tuaj që kjo familje e ka kapërcyer këtë vështirësi. Kur shikojmë këto publikime është tamam fjala e Agimit nuk mund të bëhet një njeri primar i shtetit kur ai abuzon që në nisje me mashtrime”, u shpreh ai.

“Një zotëri nga Kosova që ka qenë një nga donatorët për të ndihmuar Agimin, pasi kishte parë filmimin më merr dhe me thotë zotëri, a është personi që ne kemi ndihmuar njëherë, nuk është e vërtetë keni kryer një mashtrim?””, – tha Selba.

Agimi shprehet se fëmijët i marrin librat falas, ndërsa vajza e tij falënderon të gjithë ata që i kanë ndihmuar./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.