102 vjet nga vdekja e Ismail Qemalit/ Leli: Përvjetorët nuk do të mjaftojnë asnjëherë për ta kujtuar e falenderuar

TIRANË, 24 janar/ATSH/ “Përvjetorët e Ismail Qemal Vlorës nuk do të mjaftojnë asnjëherë për ta kujtuar e falenderuar sa duhet, burrin e urtë e mendjendritur për gjithë ç’i dha Shqipërisë”.

Kështu u shpreh sot kryetari bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, në 102-vjetorin e vdekjes së kryeministrit të parë shqiptar dhe njeriun që shpalli pavarësinë e Shqipërisë.

Kryetari i bashkisë së Vlorë, Dritan Leli, i shoqëruar nga deputeti i Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj, Prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, etj, vendosën një kurorë me lule në varrin e Ismail Qemalit ndërsa më pas vizituan edhe Muzeun Kombëtar të Pavarësisë.

Kryebashkiaku Leli u shpreh se “shtëpia e parë e qeverisë shqiptare, ishte vizita e dytë e kësaj dite, për të kujtuar e nderuar Ismail Qemal Vlorën. Për shkak të projektit të ri që ka nisur prej kohësh, Muzeu i Pavarësisë, sot, mund të jetë i vështirë për t’u vizituar, por shumë shpejt, investimi i ri qeverisë shqiptare do t’i rikthejë rëndësinë, duke e evidentuar mes një parku të gjelbëruar që do të vizitohet nga çdo turist që ndalon në Vlorë”.

“Situata për të mbërritur në muze është e vështirë për shkak të kantierit që e rrethon muzeun dhe ngelem besimplotë që vera që vjen do të gjejë një hapësirë të re, tërësisht të rikonstruktuar duke i dhënë fund projektit dhe duke i shtuar vlerën godinës së Muzeut të Pavarësisë, që deri tani në gjithë këto vitet e fundit e bënte të pagjetshëm në mes hapësirës së çuditshme të 30 viteve të fundit”, – theksoi Leli.

Kryebashkiaku Leli u shpreh se “sot me projektin e ri që realizohet në këtë territor rriten vlerat e Muzeut të Pavarësisë dhe hapësira rreth muzeut do të shndërrohet në një park që do të sjellë më shumë qytetarë, do të përqëndrojë më shumë vizitorë dhe do ti japë Vlorës nëj atraksion të ri për tu vizituar në vitet që vijnë”.

“Do të mbështesim çdo iniciativë pozitive për të çuar përpara projektin e Vlorës së viteve që vijnë”, -shtoi Leli.

Drejtori i Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, Istref Dobi, u shpreh se çdo vit aktivitetet i kemi nisur me homazhet tek varri i Ismail Qemalit në sheshin e Flamurit dhe më pas me vizitën në ambientet e muzeut”.

“Shpresoj që ky do të jetë përvjetori i fundit i vdekjes së Ismail Qemalit në këtë situatë qoftë edhe jashtë ambienteve të muzeut, pasi ka filluar projekti i sheshit të Muzeut të Pavarësisë. Ky shesh do ti japë një impakt më të madh zonës e patjetër muzeu do të kthehet në një vend pelegrinazhi për të gjithë ata që vizitojnë Vlorën, për të gjithë ata që e zgjedhin për turizëm, por pse jo edhe për të njohur edhe anën historike sidomos Vlorën e pavarësisë”, – tha Dobi.

Ismail Qemali lindi në 16 tetor 1844, në Vlorë, që në moshë të re punoi në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane dhe pas përfundimit të studimeve për jurisprudencë, mbajti funksione të rëndësishme administrative, të cilat shpesh i përdori për të ndihmuar lëvizjen çlirimtare shqiptare. Ai mori pjesë në përpjekjet për krijimin e një alfabeti të përbashkët të gjuhës shqipe dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare.

Karriera politike dhe përpjekjet e bëra në ndihmë të popullit të tij për të arritur pavarësinë, e bënë atë një udhëheqës të shquar të Lëvizjes Kombëtare dhe, pas nënshkrimit të Aktit të Shpalljes së Pavarësisë, edhe kryeministrin e parë të Shqipërisë së pavarur./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.