Projekt transformues në Urën Vajgurore/ U evituan përmbytjet, vijon krijimi i hapësirave cilësore rekreative për të gjitha moshat

TIRANË, 23 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Urën Vajgurore, Berat, ku ka nisur faza e dytë e projektit transformues pas realizimit të mbrojtjes lumore, ndërkohë që në fazën e parë është garantuar mospërmbytja e krejt zonës që ndodhte çdo vit.

Në fazën e dytë po vijohet me krijimin e një hapësire cilësore rekreative për të gjitha moshat, si edhe do të mundësohet më tej hapja e një pike të madhe të promovimit e të tregtimit të prodhimeve bio zonës.

Kryetarja e bashkisë së Urës Vajgurore, Juliana Memaj tha se tashmë ka nisur faza e dytë e projektit të mbrojtjes lumore dhe rehabilitimit të zonës përgjatë lumit Osum.

Ajo theksoi se “nga punimet e kryera në vitin 2016, në fazën e parë, ne arritëm me financim të buxhetit të shtetit realizimin e kësaj dige, e cila bëri të mundur që pas kaq shumë vitesh qyteti mos të përmbytej më nga prurjet e lumit Osum”.

“Me fillimin e punimeve për fazën e dytë do të ketë hapësira rekreative për shplodhjen e banorëve, gjithashtu edhe fusha sporti, kënde lojërash për të rinjtë. Ndërkohë është duke u punuar në urën e këmbësorëve që do të lidhi lagjen e “Gurit të Bardhë” me fundin e qytetit duke e çuar drejt pedonales. Ne kemi arritur që sot të mos kemi sipërfaqe të përmbytura për shkak të ndërhyrjeve që janë bërë me hapjen e kanaleve kulluese”, tha Memaj.

Memaj theksoi se “kemi hapur në total në këto vite gati 340 km kanal dhe kjo është bërë edhe falë financimit të qeverisë”. “Ky është një lajm i mirë për banorët e kësaj zone që nuk kanë më dëme për të mbjellat e tyre”, tha ajo.

Ndërsa ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Bendi Klosi tha se “asnjë hapësirë publike dhe sidomos ajo e fermave private nuk u përmbyt nga reshjet e fundit”.

“Është një tregues shumë i madh për punën që ka bërë bashkia për sa i përket kanaleve dhe gjithë sipërfaqes, por edhe mbrojtja lumore do të krijojë këtu një hapësirë të jashtëzakonshme”, tha ai.

Klosi theksoi se “bashkia po përpiqet të krijojë edhe një pikë të madhe agroturistike pasi është shumë e rëndësishme që në hyrje të Beratit të ketë një ndalesë të parë që do t’i shërbejë turistëve të huaj dhe të vendit”.

“Do të jetë një nga pikat më të mëdha të gjithë qarkut dhe do të jetë pika e parë e ndalesës për gjithë turistët që shkojnë vizitojnë Beratin. Do të krijojë atraksion turistik për gjithë qarkun dhe mundësi që të kemi turistë më shumë”, tha ai.

Klosi informoi po ashtu mbi vendimin e  fundit të bashkisë së Urës Vajgurore e cila ka vendosur të quhet bashkia Dimal. “Ne jemi në fazën përfundimtare në parlament që të quhet bashkia Dimal, ndaj dhe është shumë e rëndësishme që edhe pika turistike e Dimalit këtu pranë të jetë e asistueshme nga turistët që vijnë në këtë zonë”, tha ai.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.