Policia e Shtetit: Njoftimi për aksidentin rrugor është pasqyruar në faqen zyrtare, asnjë favorizim

TIRANË, 23 janar/ATSH/ Policia e Shtetit doli sot me një sqarim në lidhje me lajmin e publikuar në disa media përgjatë ditëve të fundit, për një aksident rrugor të ndodhur në kryqëzimin e rrugës “Papa Gjon Pali II” me rrugën “Ismail Qemali”, ku shtetasi S.D., duke vazhduar lëvizjen me mjet gjatë kohës që semafori ishte me dritë të kuqe dhe është përplasur me mjetin tip “Skoda Rapid”, me drejtues shtetasin D.T. dhe pasagjer shtetasin A.M. e për pasojë u dëmtuan 2 shtetas, jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Shtetit sqaron opinionin publik se drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin rrugor nuk është i afërm i ndonjë zyrtari drejtues në Policinë e Shtetit dhe nuk është favorizuar në asnjë moment nga asnjë zyrtar policie.

“Stukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në lidhje me këtë ngjarje kanë kryer të gjitha veprimet procedurale dhe materialet janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme, në ngarkim të qytetarit S.D”, thuhet në sqarim.
Po ashtu, policia njofton se njëkohësisht, Policia Rrugore e Tiranës ka kryer të gjitha veprimet administrative.
“Njoftimi për aksidentin rrugor është pasqyruar në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit, në përmbledhjen ditore të ngjarjeve që publikohet, si çdo ngjarje tjetër pa pasoja fatale”, theksoi Policia e Shtetit.
Policia e Shtetit garanton qytetarët se është tërësisht e angazhuar për të luftuar krimin dhe zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin, ndaj fton median që për çdo rast të kërkojë informacion zyrtar pranë strukturave përgjegjëse për dhënien e informacionit. /j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.