Parkimi nëntokësor dhe rikonceptimi urban i sheshit të Beratit/ Qendër e re me impakt shumë më të fortë në profilin turistik të qytetit

TIRANË, 23 janar/ATSH-Maela Marini/-Sheshi i ri i qytetit të Beratit po merr formë dita-ditës, për ta kthyer në një qendër të re jo vetëm me impakt për turizmin e qytetit, por dhe funksional  për banorët. Në sheshin e qytetit do të ndërtohet edhe një parkim nëntokësor, ndërkohë që rruga mes sheshit e dy objekteve të kultit do të kthehet në pedonale duke krijuar një qendër të re me një impakt shumë më të fortë në profilin e Beratit turistik.

Kryeministri Edi Rama pa sot nga afër punimet që po kryhen në këtë kantier, ku kujtoi se edhe “pse ky ishte një projekt i miratuar më parë, kishte kërkuar ndërtimin e një parkimi, pasi kjo është gjëja më e mirë që mund të bëhet për Beratin”.

Ndërkohë, kryeministri theksoi se “formula e re e zgjedhur për ndërtimin e parkimit Publik-Publik mes bashkisë dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si dhe menaxhimi i të ardhurave bën që këtu investimi të kthej vetveten dhe pastaj i kalon bashkisë komplet”.

Kryeministri kërkoi që të rikonceptohen fasadat rreth sheshit. “Duhet me u marr tamam me këtë pjesën e këtyre ‘hijeve’ përreth dhe të krijohet diçka që të ketë më shumë jetë. Nevojitet restaurimi ose prekja më unifikuese e këtyre fasadave dhe atyre të rejave që nuk do prishen, qoftë edhe me ngjyrën e bardhë të Beratit. Aty duhet të ketë vetëm gur, ngjyrë të bardhë dhe çati dhe jo më lajle-lule”, tha Rama.

Në këtë linjë ai vlerësoi edhe strukturën e re të hotel Tomorrit, një kryevepër që rikonceptohet në funksion të gjithë kësaj.

Rama theksoi se është shumë e vlefshme që të krijohet një strukturë hotelerie me 5 yje këtu që të krijojë gravitet për gjithë këtë hapësirë. “Do të jetë një pikë referimi për turistët dhe do të krijojë, sidomos pasditeve, një marrëdhënie fantastike me gjithë këtë hapësirë publike këtu”, tha Kryeministri.

Ai kërkoi po ashtu konceptimin e sheshit duke krijuar njësi për shërbime dhe njerëzit t’i shfrytëzojnë, të ulen të pinë kafe, të marrin shërbime”. “Është tipike për zonat turistike kur ke flukse. Është fat i madh ta kesh një hapësirë të tillë, por edhe duhet ta krijosh. Kjo duhet mbushur me aktivitete, nuk duhet hequr ky korridor”, tha Rama.

Kryetari i bashkisë Berat, Ervin Demo theksoi se parkimi i sheshin qendror të qytetit të Beratit është një nga më të mëdhenjtë e Shqipërisë i shtrirë në një hapësirë prej 8 mijë m2 me 200 poste parkimi.

Në të njëjtën kohë, ai theksoi se parashikohet edhe një rehabilitim i gjithë sheshit kryesor që ne kemi në qytetin e Beratit. “Kjo në fakt është një nag kërkesat kryesore që ne hasim nag operatorët turistikë”, tha Demo.

“Duam të arrijmë dy objektiva kryesor. Jemi duke plotësuar një pazëll me pjesën qendrore dhe punimet në akset e tjera dhe kështu do të kemi një aureolë të plotë të qytetit që jo vetëm është i aksesueshëm por ruan edhe gjithë pjesën tradicionale”, tha Demo.

Ai theksoi se punimet parashikohet të përmbyllen shumë shpejt dhe brenda 6 muajsh gjithçka përfundon.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.