Kushte më të mira pune për zjarrfikësit në Berat/ Paketa e re e projekteve do të sjellë numra të shumëfishuar turistësh

TIRANË, 23 janar/ATSH-Maela Marini/ “Në Berat po vijon puna për projektet dhe investimet e nisura që nuk u ndalën as në pandemi”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, ndërsa inspektoi punimet për ndërtimin e godinës së zjarrfikëses së qytetit e cila ofron kushte më të mira pune për 28 punonjësit e saj.

Kryeministri shprehu bindjen se me këtë paketë projektesh të reja në Berat, “ne presim vetëm fundin e flamës së pandemisë dhe do të kemi numra turistësh të shumëfishuar”. “Padiskutim edhe me planin e promovimit të qytetit që shkon paralelisht”, tha ai.

Duke folur për investimet në Berat, Rama tha se “po të shikosh sezonin e kaluar turistik ishte shumë herë më mirë se sa parashikohej, duke pasur parasysh investitorët e brendshëm dhe gjithë strukturat që menaxhohen nga shqiptarët që bënë të mundur të ketë një fluks të madh, sidoqoftë jo aq të madh po të ishin edhe vizitorët e huaj”.

“Kjo garantoi jo thjesht mbijetesën, por që të dilnim nga sezoni pa humbje dhe me fitim të reduktuar, por fitim gjithsesi”, tha Rama.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi theksoi se “pandemia e kapi Beratin në momentin më kulmor të numrit të turistëve dhe të investimeve nga biznesi privat për disa hotele të reja”.

Klosi tha se Berati sot ka mbi 5 hotele të reja me 100 dhoma secili, një mungesë e qytetit deri tani që do të japë mundësinë për shtimin e dhomave për të kaluar natën në Berat, një kërkesë e vazhdueshme e operatorëve turistikë.

Po ashtu, ai theksoi se “investimi i jashtëzakonshëm në rrugën e Drobonikut dhe pastaj gjithë rruga që shkon për Këlcyrë, do të lidhë dy qytetet e mbrojtura nga UNESCO, Beratin dhe Gjirokastrën, duke bërë unazën turistike”.

“Pastaj Berati do të jetë komplet në një situatë tjetër. Gjithë këto investime që ndihmojnë në infrastrukturën turistike të qytetit si edhe kjo e zjarrfikëses, pasi një qytet me aq shumë popullim në momente të caktuara ka nevojë për zjarrfikëse të re, do të krijojë një tjetër atmosferë për Beratin, ku investitorët privatë kanë investuar kaq shumë”, tha Klosi.

Ndërsa kryetari i bashkisë Berat, Ervin Demo foli për projektin e ndërtimit të godinës së zjarrfikëses, ndërsa shtoi se falë këtij projekti Berati përfiton edhe 2 zjarrfikëse të reja. “Bashkë me 2 zjarrfikëset e marra nga TAP-i, veshjet e reja për 28 zjarrfikësit si dhe godinën e re, Berati bëhet me zjarrfikësen më të kompletuar në gjithë Shqipërinë”, tha Demo. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.