FOKUS – Ekspertët: Biden do të ndjekë politika që bazohen në dialog

ANKARA, 23 janar /ATSH-AA/ – Administrata e re e SHBA-së do të marrë masa të orientuara drejt sigurisë për të ofruar unitet brenda vendit, kurse në politikën e jashtme do të zhvillojë marrëdhënie të bazuara në dialog, thonë ekspertët.

Në ditën e parë të presidencës së tij, Joe Biden ndërmori hapa dhe nënshkroi 17 urdhra ekzekutivë për të ndryshuar politikat e ish-presidentit Donald Trump, përfshirë Marrëveshjen e Klimës së Parisit, rianëtarësimin në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, mbajtjen e maskave ​​në ndërtesat federale, ndërprerjen e fondeve për murin përgjatë kufirit meksikan dhe heqjen e kufizimeve të udhëtimit të vendosura ndaj disa vendeve muslimane.

Ilter Turan, profesor në Universitetin Bilgi të Stambollit, theksoi se Biden do të zhvillojë politika që do t’i japin fund polarizimit që është bërë më i ashpër në SHBA.

Turan shtoi  se Biden ka vënë theksin mbi demokracinë brenda dhe jashtë kufirit.

“Ai mori një qasje kritike ndaj vendeve që prishnin praktikat demokratike”, theksoi Turan.

Sa i përket politikës së jashtme, spikasin diskurset për meremetimin e dëmeve që shkaktoi Trump duke ringjallur marrëdhëniet e rrënuara ndërkombëtare.

Turan tha se ai nuk priste ndryshime të mëdha në lidhje me politikat e SHBA-së ndaj Rusisë dhe Kinës, në mesazhin gjatë betimit të Biden.

Ai tha se marrëdhëniet midis Kinës dhe SHBA-së janë konkurruese, por Biden do t’i shndërrojë ato në një konkurrencë më konvencionale.

Turan vuri në dukje se stili i politikës së jashtme të Biden-it do të jetë shumë më i ndryshëm dhe se presidenti i SHBA-së do ta zhvillojë luftën me Kinën dhe Rusinë së bashku me aleatët. Ai shtoi se Biden do të përpiqet të rivlerësojë marrëveshjet e kontrollit të armëve bërthamore.

“Biden do të zhvillojë një luftë sistematike, por jo luftarake, për të mbrojtur vlerat e SHBA-së”, theksoi Turan.

Profesori Murat Aydın nga Universiteti Kadir Has tha se është për të përshëndetur fakti që Biden theksoi se problemet në botë do të zgjidhen përmes dialogut, në vend të forcave ushtarake.

Aydın tha se lidhjet midis SHBA-së dhe grupit terrorist YPG/PKK në Siri do të vazhdojnë të jenë një problem në marrëdhëniet SHBA-Turqi.

“Unë nuk mendoj se SHBA-ja do të tërhiqet nga marrëdhëniet e saj me YPG/PKK-në. Ai gjithashtu do të përpiqet ta çojë Turqinë në kornizën e NATO-s lidhur me sistemin e raketave S-400”, deklaroi ai.

Profesori Hasan Ünal nga Universiteti Maltepe theksoi se nuk ka gjasa që një SHBA-ja me polarizim të brendshëm të përpiqet të rregullojë një botë që ka evoluar në multipolaritet.

Ünal vuri në dukje se shqetësimet që burojnë nga racizmi, ksenofobia dhe sistemi ekonomik në SHBA vërehen në shumë rajone të zhvilluara të botës, veçanërisht në Evropë.

“Prandaj, ngjarje të papritura mund të shpërthejnë nga asgjë në SHBA dhe Perëndim, të cilat humbën ndjenjën e superioritetit të tyre në rendin botëror”, tha Unal.

Ai theksoi se botën, e veçanarisht Turqinë, e pret një mandat i vështirë katërvjeçar, duke theksuar se retorika rreth Turqisë nga Antony Blinken, i cili është i nominuari i Biden-it për postin e kryediplomatit, nuk duket aspak e pranueshme./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.