Basha kujton Ibrahim Rugovën: Yll polar për të ardhmen e Kosovës

TIRANË, 23 janar/ATSH/ “Ibrahim Rugova, shqiptari që udhëhoqi lëvizjen më të madhe paqësore në Europën moderne vijon të mbetet një shembull i europianizmit dhe i Europës moderne”.

Kështu u shpreh sot, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndërsa nderoi Ibrahim Rugovën, Presidentin e parë të Republikës së Kosovës.

“Projekti i tij i qartë për Kosovën e lirë dhe të pavarur në miqësi me Shtetet e Bashkuara dhe anëtare e Bashkimi Europian duhet të vijojë të mbetet yll polar për politikën e sotme dhe të ardhmen e Kosovës. Si një shenjë maturimi dhe përmbushje asaj për të cilën lideri historik i Kosovës punoi dhe u përpoq çdo ditë”, tha Basha.

Në 21 janar u përkujtua 14-vjetori i ndarjes nga jeta të presidentit të parë të Republikës së Kosovës Ibrahim Rugova (1944-2006).

Ibrahim Rugova është presidenti i parë i Republikës së Kosovës, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe studiues.

Ai u rizgjodh president i Republikës së Kosovës, në mars 2002 dhe në dhjetor të vitit 2004. Ibrahim Rugova është laureat i shumë çmimeve dhe dekoratave ndërkombëtare, ndërmjet të cilave: Çmimi për Paqen i Fondacionit “Paul Litzer”, në Danimarkë (1995); Çmimi për Paqen i Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrosco i Farmiguera”.

Pas vdekjes ai u dekorua me “Urdhrin e Famurit Kombëtar”, nga presidenti i Republikës së Shqipërisë Alfred Moisiu. Ibrahim Rugova vdiq në Prishtinë më 21 janar 2006. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.