Zv.ministri Kristo takon peshkatarët e Vlorës: Aplikoni për fonde, ministria ofron asistencën e nevojshme

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Roland Kristo, u bëri thirrje peshkatarëve të qytetit të Vlorës, të aplikojnë për grante me qëllim zhvillimin e teknologjisë së aktivitetit të tyre me mjete bashkëkohore.

Gjatë një takimi në zonën e Triportit, ku merrni pjesë dhe përfaqësues nga bashkia e Vlorës, zv.ministri Kristo nënvizoi se, në ndihmë të sektorit të peshkimit, Bashkimi Europian i ka akorduar qeverisë shqiptare një fond prej 1.5 milionë euro”.

Kristo tha se, ky fond do të shërbejë për zhvillimin dhe modernizimin e flotës së peshkimit.

Mbështetja me fonde që u jepet peshkatarëve është në masën 50 %. Peshkatarët mund të aplikojnë me projekte për ndërhyrje në zëvendësimin e motorëve të vjetër, rrjetave të vjetra të peshkimit ose blerjen e pajisjeve elektronike në bordin e anijeve të peshkimit, për blerjen e frigoriferëve, makina akulli etj.

“Qëllimi ynë është t’i japim peshkatarëve asistencën e nevojshme që këto fonde të përthithen nga peshkatarët. Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural nga ana e saj ka lehtësuar ndjeshëm dokumentacionin që nevojitet me paraqitjen e projektit. Gjithashtu në dispozicion të aplikuesve, kemi publikuar informacionin dhe në faqen e internetit të ministrisë”, u shpreh zv.ministri gjatë takimit me peshkatarët.

Në fund të takimit, ai bëri apel për dorëzimin sa më parë të projekteve, pasi aplikimi për grante në sektorin e peshkimit mbyllen më 31 janar 2021. e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.