Zgjedhjet e 25 prillit/ Kim apel partive: Kontrolloni kandidatët tuaj, mos minoni demokracinë

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë ka ripërsëritur sot apelin drejtuar partive politike në vend për kontrollin e pastërtisë së figurës së kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet e përgjithshme me 25 prill në vendin tonë.

Kim publikoi mesazhin e kandidatit për Sekretar Shteti në SHBA, Tony Blinken.

“Nëse doni të dini nëse ky paralajmërim mbetet i vlefshëm, kjo është ajo që Tony Blinken, i nominuari i Presidentit Biden për Sekretar i Shtetit, tha në seancën e tij 1/19 para Senatit: Ne duam të lartësojmë punën në luftimin e korrupsionit”, thuhet në postimin e ambasadores Kim.

Këtë deklaratë të Blinken, ambasadorja Kim e shoqëroi me mesazhin e saj përcjellë në korrik të vitit 2020, ku vinte theksin në vlerësimin siç duhet të kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme.

“Paralajmërim: Ndërkohë që partitë përgatiten për zgjedhje, kryetarët e partive do të mbajnë përgjegjësi për ata që garojnë nën siglën e tyre. Ju lutemi kontrolloni kandidatët tuaj – mos fyeni votuesit, mos minoni demokracinë dhe mos promovoni korrupsionin”, deklaroi ambasadorja Kim.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.