Vasili: 6 mijë vdekje më shumë gjatë vitit 2020 sesa mesatarja vjetore

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili deklaroi sot se, “shifrat e vdekjeve në Shqipëri në vitin 2020 janë rritur me rreth 6 mijë vdekje më shumë nga mesatarja e disa viteve me radhë”.

Në një deklaratë për mediat ai tha se, “duke e krahasuar që nga viti 2012 e këtej, mesatarja e vdekjeve në Shqipëri ka qenë 22 mijë vdekje në vit, ndërkohë që këtë vit kemi 28 mijë vdekje, një rritje thuajse 30 për qind”.

“Kjo rritje sigurisht është e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me pandeminë nga Covid-19, një fakt që është vërtetuar në mjaft vende evropiane të Bashkimit Evropian dhe jo vetëm”, tha Vasili.

Ai shtoi se, “problemi kritik qëndron se nga pikëpamja zyrtare, qeveria e Shqipërisë, ka raportuar rreth 1200 vdekje në krahasim me 6 mijë vdekje që kanë ndodhur e që lidhen në mënyrë të padiskutueshme me pandeminë. Pra, kemi shumë të qartë një situatë ku shifrat e vdekjeve fshihen dhe e vërteta fshihet”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.