U gjobit me 1500 lekë/ KAS pranon ankimimin e kreut të Kadastrës së Lushnjës

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve në KQZ vendosi ndryshimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe pranimin e ankimit të kreut të Kadastrës së Lushnjës, Arben Qalliu lidhur me vendosjen e sanksionit administrativ.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve pati vendosur gjobitjen e kreut të Kadastrës Lushnjë, Arben Qalliu me 1500 lekë gjobë.

KQZ vendosi edhe rrëzimin e ankimimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim lidhur me vendosjen e sanksionit administrative ndaj deputetit Bujar Çela.

Gjithashtu, KAS vendosi që Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve të informojë Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe t’i kërkojë që, në respektim të standardit të zgjedhjeve dhe neutralitetit të administratës publike, deputetët, deri në datën e zgjedhjeve të mos ftohen në veprimtaritë rutinë të administratës qendrore dhe vendore të tij, të cilat zhvillohen nëpërmjet kontaktit, komunikimit dhe bashkëpunimit me zgjedhësit. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.