Shpallja “non grata” e diplomatit/ Reagon ambasada ruse: Vendim i paargumentuar

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Ambasada e Rusisë në Tiranë komentoi sot vendimin e qeverisë shqiptare për shpalljen “persona non grata”, të një diplomati rus.

“E konsiderojmë të paargumentuar vendimin e autoriteteve shqiptare për dëbimin e diplomatit rus. Gjithashtu, jemi të befasuar nga përmbajtja e deklaratës përkatëse për shtyp të MEPJ-së së Shqipërisë. Përkundër pretendimeve të Ministrisë, emri i Aleksej Krivoshejev nuk është përmendur asnjëherë gjatë kontakteve midis Ambasadës Ruse dhe Ministrisë përkatëse. Për herë të parë dhe të fundit, ai është përmendur në Notën Verbale të MEPJ-së më 20 janar 2021, sipas së cilës Krivoshejev është shpallur “persona non grata”. Në të njëjtën kohë, asnjë provë e shkeljes prej tij të masave anti-COVID, të vendosura në Shqipëri, nuk është sjellë”, thuhet në këtë deklaratë.

Ambasada ruse sqaron se “më herët, në korrik të vitit 2020, në një takim midis Ambasadorit dhe Ministrit në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, u ngrit çështja e pretendimeve, meqë ra fjala, gjithashtu, mjaft të diskutueshme, për sjelljen e një diplomati tjetër”.

“Pikërisht atëherë Ambasadori premtoi të merrej me këtë çështje, premtim, i cili u përmbush. Vërejtje në adresë të këtij punonjësi nuk pati dhe ai u largua me sukses nga vendi pas disa muajsh, duke përfunduar shërbimin e tij”, vijon deklarata.

Sa i përket Krivoshejev, Ambasada sqaron se, “pasi u diagnostikua me COVID-19 në fillim të muajit nëntor 2020, në përputhje me protokollin mjekësor, ai ka qëndruar në vetizolim për dy javë me anëtarët e familjes së tij, duke respektuar rreptësisht karantinën e përcaktuar, dhe ka dalë në punë vetëm pasi ka kaluar dy teste negative. Kontakte të jashtme, përveç vizitës në institucionet mjekësore për të kryer testet përkatëse, ai nuk ka patur”.

“Ne besojmë se akuzat kundër tij janë të pabazuara dhe të sajuara. Në sfondin e kësaj ngjarjeje, sigurimet e palës shqiptare në lidhje me përpjekjet e saj në drejtim të zhvillimit të marrëdhënieve miqësore midis vendeve tona ngjallin dyshime”, vijon deklarata e Ambasadës ruse.

“Gjithashtu, drejtojmë vëmendjen tuaj te fakti se, në përputhje me praktikën diplomatike ndërkombëtare, emrat e punonjësve të misioneve diplomatike të shpallur “persona non grata” nuk i komunikohen publikut. Kjo është, ndër të tjera, një nga detyrimet e vendit pritës, me qëllim ruajtjen e sigurisë personale të diplomatëve dhe anëtarëve të familjes së tyre. Publikimi i emrave mund të ndodhë, vetëm pasi punonjësi është larguar nga vendi pritës”, përfundon deklarata për shtyp./m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.