Prodhimi ditor nga baseni i Drinit 26 500 MWH/ KESH/ Shkarkimet në liqenin e Vaun e Dejës zbresin në 200 m3/s

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) bën të ditur po vijon monitorimin e tre HEC-eve mbi kaskadën e Drinit, ndërsa shërbimi meteorologjike në vend paralajmëruan reshje të dendura shiu gjatë fundjavës.

Aktualisht, thekson KESH, janë angazhuar të gjitha kapacitetet gjeneruese, me një prodhim ditor prej 26 500 MWH (në ditë) duke plotësuar të gjithë nevojat për energji elektrike të konsumatorit fundor.

Sipas të dhënave të publikuara nga KESH, niveli i liqenit në HEC-n e Fierzës llogaritet 287.97 m nga 296 m niveli maksimumi i lejuar. Në HEC-in e Komanit niveli i liqenit është 168.55 m, nga 176 m niveli maksimumi i lejuar, ndërsa në HEC-in e Vaut të Dejës, 71.12 m, nga 76 m që është niveli maksimum i lejuar.

Bazuar në të dhënat e orëve të fundit të raportit Hidro-Meteorologjik, niveli i shkarkimeve në HEC-in e Fierzës dhe Komanit është ndalur plotësisht, ndërsa në HEC-in e Vau të Dejës, shkarkimet vijojnë të jenë 200 m3/s.

KESH bën të ditur se do të vazhdojë të ndjekë me vëmendje situatën hidroenergjetike të kaskadës dhe do të vijojë të marrë gjithë masat e nevojshme për administrimin e prurjeve dhe ruajtjen e niveleve optimale, duke garantuar sigurinë e plotë të digave dhe shmangien e impaktit social mjedisor në zonat e banuara. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.