Procesi i regjistrimit fillestar në fshatin Kullë, Durrës/ Kadastra: 2 mijë pasuri futen në sistem

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Kadastra Shqiptare njofton nisjen e procesit të regjistrimit fillestar në zonën kadastrale 2321, fshati Kullë, bashkia Durrës.
Puna tashmë ka nisur me mbledhjen dhe administrimin nga grupet e punës, të informacionit dhe dokumentacionit të nevojshëm për kryerjen e këtij procesi të rëndësishëm.
Njëkohësisht më nisjen e këtij procesi do të jenë grupet tona në terren, që do të kryejnë matjet e parcelave dhe ndërtesave, duke evidentuar kufijtë e saktë të pasurive të këtij fshati që fillon tashmë regjistrimin e pasurive për herë të parë.
Kadastra bën të ditur se, do të jetë e nevojshme nga ana e banoreve dhe bizneseve bashkëpunimi me grupet e terrenit, në mënyrë që të përcaktohen saktë kufijtë e pasurive te tyre, si dhe depozitimi i çdo dokumenti pronësie pranë ASHK-së, në rast se ky dokumentacion nuk administrohet pranë zyrave të Kadastrës. Për të shmangur spekulimet dhe sekseret, ftohen qytetarët që të kërkojnë identifikimin e punonjësve të Kadastrës përmes dokumentit zyrtar.
“Në përfundim të këtij procesi, pritet të futen në sistemin e regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme rreth 2000 pasuri, për të cilat qytetarët do të kenë mundësi të aplikojnë pranë Kadastrës për t’u pajisur me certifikatë pronësie”, thekson në njoftimin e saj Kadastra.
/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.