Nis faza e dytë e zbatimit të Reformës në Drejtësi

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj hapi sot siparin, sipas saj, “të një procesi tejet të rëndësishëm, por edhe sfidues, atë të fazës së dytë të zbatimit të reformës në drejtësi, përmes hartimit të Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2021-2025”.
Në një bashkëbisedim me partnerë dhe krerë institucionesh, Gjonaj tha se “dokumenti strategjik që prezantuam nuk përfaqëson vetëm jetësimin e vizionit të kahershëm të reformës në drejtësi, por dokumentin konkret të konsolidimit të drejtësisë shqiptare tashmë të reformuar”.
“Ndër momentet kryesore shpërblyese të punës sonë për progresin e reformës në drejtësi përfshijnë, ndër të tjera, hartimin dhe miratimin e ndryshimeve në Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale, Ligjin për Gjykatat Administrative, Miratimin e Kodit të Drejtësisë Penale për Fëmijët, si dhe hartimin e 30 ligjeve të tjera në kuadër të reformës në drejtësi, të miratuara ose në proces miratimi”, tha Ministrja.
Përpos ndryshimeve legjislative, Gjonaj tha se “tashmë e gjithë korniza institucionale e organeve të qeverisjes së drejtësisë si dhe organeve të reja të hetimit dhe gjykimit të korrupsionit dhe të krimit të organizuar është funksionale, duke dhënë dita ditës rezultate të prekshme”.
Në këtë sipërmarrje kaq të rëndësishme, ajo tha se “një falënderim i veçantë shkon për të gjithë bashkëshoqëruesit e procesit jetik të reformës në drejtësi në Shqipëri, Bashkimit Europian dhe SHBA dhe të gjithë vendeve të tjera mike për mbështetjen që na kanë dhënë që në pikënisje të reformës në drejtësi, ashtu edhe në kthimin e të gjithë arkitekturës të re institucionale të sistemit të drejtësisë në shërbim të qytetarëve”.
“Në veçanti një falënderim partnerëve tanë të EURALIUS, OPDAT, UNDP, USAID, Projekti “Drejtësi për të gjithë”, OSFA, ambasadorëve, të gjithë organizatave të shoqërisë civile, dhe të gjithë ekspertëve e bashkëpunëtorëve, që na kanë ndihmuar të jemi sot këtu, duke prezantuar strategjinë e re, me shumë besim tek e ardhmja europiane e drejtësisë shqiptare”, tha Gjonaj.

/m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.