KQZ nuk certifikon listat e LVV-së, AAK-së dhe Nismës

PRISHTINË, 22 janar/ATSH/ Lista e Lëvizjes Vetëvendosje, AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate nuk është certifikuar nga KQZ-ja. Kjo për shkak se nuk kanë larguar kandidatët e listuar nga KGJK-ja

Ndërsa Nisma Socialdemokrate nuk është certifikuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor as si subjekt politik.

Në anën tjetër KQZ certifikoi listat e PDK-së dhe LDK-së për zgjedhjet e 14 shkurtit, si dhe të Listës Serbe.

Kjo pasi në listat e tyre nuk ka asnjë kandidatë që ka probleme me ligjin.

Eshref Vishi përfaqësues i Nismës Socialdemokrate, vendimin e KQZ-së për mos certifikim të subjektit politik që ai përfaqëson dhe listës së kandidatëve për deputetë e ka quajtur politik.

“Votimi për certifikim të subjekteve politike dhe listave të kandidatëve ishte politik dhe tendencioz ndaj subjektit Nisma. Nuk është përgjegjësi e anëtarëve të KQZ-së të shqetësohen për përmbajtjen e listës së subjektit politik. Është e drejtë e tyre të votojnë në bazë të rekomandimeve të Zyrës për regjistrimin e partive politike, por u pa që as rekomandimet e zyrës nuk u përfillen, por as fjalimet tona lidhur me respektimin e procedurave ligjore. Ne do të ankohemi në bazë të ligjit”, tha ai.

Me këtë vendim nuk u pajtua as Lëvizja Vetëvendosje.

Sami Kurteshi tha se krejt qëllimi ka qenë që të mos certifikohet lista e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Lista e Lëvizjes Vetëvendosje nuk u certifikua dhe kjo ka qenë thelbi i krejt kësaj. Vetëm po iu tregoj një rast. Kemi një vendim gjyqësor për njërin nga kandidatët. Ky ka kryer vepër penale rrezik të trafikut publik dhe ky është dënimi për cka dikush do me largua nga lista”, tha ai.

Ibrahim Selmanaj nga AAK-ja tha se do të vazhdojnë të ndjekim rrugët ligjore.

“AAK nuk ka votë kundër njerëzve të cilët do të kandidohen dhe procesi duhet të vazhdojë mbi bazën e asaj qysh edhe i kemi ndërtuar dhe i kemi ligjet e aplikuara në Kosovë. Unë uroj secilin subjekt politik të jetë i suksesshëm në garë dhe iu uroj të gjithëve dhe atyre të cilët nuk kaluan sot do të filtrohen dhe do të jenë në garë”, tha ai.

KQZ certifikoi listat e LDK-së dhe PDK-së për zgjedhjet e 14 shkurtit.

/KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.