Gjylameti: Rritje e buxhetit për Shëndetësinë, përmirësim shërbimeve dhe infrastrukturës

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti, theksoi sot se qeveria i ka mbajtur premtimet e bëra ndaj popullit dhe këtë e ka vërtetuar vota e qytetarëve.

Në një emision televiziv, Gjylameti theksoi se “është në përditshmërinë tonë që të angazhohemi sa më shumë për të qenë pranë qytetarëve. Mjafton të shikojmë postimet në rrjetet sociale jo vetëm të deputetëve, por të gjithë anëtarëve të qeverisë, për të kuptuar se ajo që kemi prej vitesh është kthyer në moton tonë: pranë qytetarëve, në shërbim të tyre. Ështa faza parapërgatitore për zgjedhjet parlamentare”.

“Për të qenë një alternativë qeverisëse duhet të merresh me çfarë premton, çfarë është bërë keq dhe cilat janë argumentet e kësaj filozofie. Llogaridhënia me qytetarët është 1 herë në 4 vite. Votohesh për çfarë premtimesh ke mbajtur. Mjafton të shikojmë mbështetjen që kemi marrë në 2017 për të vërtetuar premtimet që kemi mbajtur”, – tha Gjylameti.

Sipas saj, çdo 4 vite po të kesh mbështetjen maksimale nga qytetarët je në rrugën e duhur.

Duke folur për borxhin publik, Gjylameti tha se “deri në 2018 ai ka qenë në trend zbritës. Ekzaktësisht ka qenë në zbritje”, tha Gjylameti.

“Mjafton të shikojmë të gjitha investimet që janë bërë në shëndetësi dhe për arritjen e asaj që quhet mbulimi universal për të arritur që edhe ata që nuk janë të siguruar për të marrë të gjitha shërbimet shëndetësore falas, gjë e cila ishte me pagesë para 2013. Qoftë edhe me rritjen e buxhetit për shëndetësinë për të arritur që të kemi një shëndetësi shumë më cilësore se ajo që kemi, duke nisur nga pjesa e përmirësimit të shërbimeve, edhe tek përmirësimi i infrastrukturës në spitale, qendra shëndetësore. Nga ana tjetër nuk besoj të identifikojmë të gjithë personelin shëndetësor me një individ”, u shpreh Gjylameti.

Gjylameti u shpreh se “nuk zgjidhet një problematikë e mbartur në 30 vite si në pjesën e personelit, dhe infrastrukturës, në 8 vite”./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.