FSHF firmos marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Sporteve të Tiranës

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Federata Shqiptare e Futbollit firmosi sot një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Sporteve të Tiranës.

Kjo marrëveshje e lidhur mes dy prej institucioneve më të rëndësishme të sportit në vend, ka si objekt bashkëpunimin e palëve në aktivitetet sportive dhe veprimtaritë kualifikuese dhe trajnuese të organizuara nga FSHF dhe UST duke kontribuar me të gjithë kapacitetin infrastrukturor, bazën materiale dhe burimet njerëzore të disponueshme.

Federata Shqiptare e Futbollit jo vetëm do të bashkëpunojë me stafin akademik në trajnime dhe kualifikime të ndryshme, por do të organizojë edhe praktika profesionale për studentët, në bazë të propozimeve të Universitetit.

Gjithashtu, në bashkëpunim me UST-në, do të realizohen investime të përbashkëta në terrene sportive, si dhe do të pasqyrohen të dhënat e Federatës dhe mundësitë për trajnime apo punësime pranë organizatës së futbollit.

Të pranishëm në ceremoninë që u zhvillua sot në ambientet e stadiumit kombëtar “Air Albania” ishin presidenti i FSHF-së, Armand Duka, rektori i UST-së, Agron Kasa, përfaqësues të Universitetit të Sporteve dhe Federatës së Futbollit.

Duke marrë fjalën në nisje të aktivitetit presidenti Duka tha se kjo marrëveshje është frut i një pune apo i iniciativës së vetë rektorit Kasa dhe foli për një projekt të ri, që mbështet ose financon kërkimet shkencore të stafeve akademike.

“Kjo ceremoni e firmosjes së kësaj marrëveshjeje është fryt i një punë apo i iniciativës së vetë rektorit, të cilin dua ta falënderoj për vizionin e tij dhe hapjen e universitetit që do t’i shërbejë si sportit edhe studentëve. Së fundmi ne kemi iniciuar edhe një projekt të ri, i cili mbështet ose financon kërkimet shkencore të stafeve akademike. Për këtë ne kemi shpallur projektin, kemi kërkuar aplikime dhe nëpërmjet kësaj ceremonie i ftoj edhe një herë të gjithë stafet akademike, jo vetëm të Universitetit të Sporteve, por të të gjitha Universiteteve për të aplikuar në këtë projekt të Federatës së Futbollit në bashkëpunim me UEFA-n, i cili konsiston në financimin e këtyre studimeve apo kërkimeve shkencore deri në vlerat 20.000 euro. Unë besoj se të gjitha këto do t’i shërbejnë zhvillimit të shoqërisë në përgjithësi dhe sportit në veçanti”, – u shpreh presidenti i FSHF-së, teksa theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes dy institucioneve dhe zhvillimet pozitive që do të ketë në drejtim të sportit.

Ndërkaq, edhe rektori i Universitetit të Sporteve të Tiranës theksoi në fjalën e tij se kjo është marrëveshja më e rëndësishme që ai ka firmosur që nga dita kur është dekretuar si rektor.

“Duke përfaqësuar Universitetin e Sportit, sinqerisht për të gjithë pjesëmarrësit, por veçanërisht për ju, dua t’ju them që kjo është marrëveshja më e rëndësishme që kemi arritur të firmosim që nga dita që unë jam dekretuar si Rektor. Ndihem i plotësuar sepse ka qenë një angazhim i kahershëm, ka qenë një objektiv i shumë kohëve më përpara, në mënyrë që marrëdhënia midis Universitetit të Sporteve dhe Federatës së Futbollit duhet të kalonte nëpërmjet një procesi jo vetëm të zyrtarizuar, që kemi ardhur në vigjilje të saj tani, por të një bashkëpunimi, ashtu sikurse edhe ju cituat më lart elementët kryesorë që kjo marrëveshje do të ketë”, tha rektori i UST-së, Agron Kasa në fjalën e tij. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.