Dorëhiqet shefi i NASA-s, Jim Bridenstine

NJU JORK, 22 janar /ATSH-ANSA/ – Jim Bridenstine largohet nga pozicioni i administratorit kryesor të NASA-s.

Bridenstine, i emëruar si kreu i agjencisë amerikane të hapësirës në shtator 2017 nga Trump, kishte njoftuar tashmë vendimin për t’u larguar nëntorin e kaluar, pas zgjedhjes së Biden, duke motivuar zgjedhjen me nevojën që NASA të kishte një udhëheqës në harmoni më të madhe me administratën e re.

Bridenstine nënvizoi rëndësinë e “punës së bashku në një mënyrë ndërdisiplinore” për të shkuar në Hënë dhe për të marrë njohuri.

“Ne kemi nevojë të mësojmë, të jetojmë dhe të punojmë në një planet tjetër për një kohë të gjatë, në mënyrë që të mund të shkojmë më pas në Mars. Një shembull i unitetit vjen nga programi ‘Artemis’, ku ne kemi bashkuar industrinë, qeverinë dhe partnerët ndërkombëtarë për të thënë se mund të shkojmë në Hënë, ku të gjithë mund të përfitojmë dhe të krijojmë një program të qëndrueshëm për të ardhmen”, shtoi ai.

Me një zë të thyer nga emocionet, Bridenstine përshëndeti dhe falënderoi të gjithë punonjësit e NASA-s./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.