Xhaxhai i Aleks Nikës: Drejtësi kërkojmë nga gjykatat, jo nga qeveria

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Xhaxhai i “Dëshmorit të Atdheut”, Aleks Nika, i vrarë 10 vjet më parë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjatë një proteste paqësore të Partisë Socialiste, tha sot se “ne nuk kërkojmë drejtësi nga qeveria, drejtësi kërkojmë nga drejtësia shqiptare, jo nga Kryeministri”.

Në një prononcim për mediet pas ceremonisë përkujtimore, xhaxhai i Aleks Nikës, i pyetur nga gazetarët nëse ka zvarritje në procesin gjyqësor tha se “zvarritje ka patjetër, por nga shumë segmente të tjerë, nuk është zvarritje e Kryeministrit, as e Policisë”.

I pyetur nëse beson tek reforma në drejtësi, ai tha se “po të përfundojë reforma në drejtësi e besoj”.

Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj e pyetur nëse janë gjetur prova të reja që kërkohet nisja e hetimeve për vrasjen e 4 “Dëshmorëve të Atdheut” tha se “policia do veprojë e pastaj prokuroria do hetojë mbi bazën e provave”.

Sot shënohen dhjetë vite nga 21 Janari 2011, dita kur gjatë një proteste të Partisë Socialiste, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë u vranë katër protestues nga Garda e Republikës. Gjatë protestës së 21 Janarit 2011, mbetën të vrarë Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, të cilët sot u shpallën “Dëshmorë të Atdheut” nga qeveria. /k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.