Vaksinimi antiCovid/ Deri tani 549 mjekë dhe infermierë kanë kryer dozën e parë të vaksinës

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Deri tani 549 mjekë dhe infermierë të vijës së parë të betejës me Covid19 kanë kryer dozën e parë të vaksinës antiCovid.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

“Jam e kënaqur që prof. Eqerem Hasani, prof. Mira Kola dhe mjekët e shërbimeve delikate të urgjencës dhe reanimacionit sapo kanë bërë vaksinën antiCOVID në Qendrën e Vaksinimit në stadiumin ‘Air Albania’ dhe sot janë më të mbrojtur nga virusi i rrezikshëm”, shprehet Manastirliu.

Vaksinimi kundër sëmundjes COVID-19 në Shqipëri nisi më 10 janar, ku të parët që po marrin këtë shërbim janë personeli shëndetësor, që do të pasohen nga të moshuarit apo grupet që konsiderohen më të rrezikuarat.

Distanca mes dozës së parë dhe marrjes së dozës së dytë është 21 ditë. Deri tani, vaksinimi nuk ka shfaqur asnjë problematikë tek asnjë mjek dhe infermier që ka injektuar dozën e parë./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.